Ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, ka marrë pjesë në ceremoninë përkujtimore në Bogdanovci, ku janë nderuar mbrojtësit dhe civilët e vrarë gjatë luftës në Kroaci.
Delegacioni i Ambasadës së Kosovës, i udhëhequr nga ambasadori Berishaj, ka vendosur kurorë lulesh në memorialin “Martirët e Bogdanovcit”, në shenjë nderimi dhe përkujtimi për viktimat.
Sipas njoftimit të Ambasadës së Kosovës në Kroaci, në Bogdanovci kanë humbur jetën 133 mbrojtës dhe civilë, prej të cilëve 89 ishin banorë të këtij vendbanimi. Në mesin e tyre, 11 ishin shqiptarë, ndërsa për 17 persona ende nuk ka informacione për fatin e tyre.
Gjatë ceremonisë janë vendosur kurora dhe janë ndezur qirinj në këmbët e memorialit. Në homazhe kanë marrë pjesë familjarë të viktimave, mbrojtës kroatë, përfaqësues të institucioneve shtetërore të Kroacisë dhe diplomatë.
Ambasadori Berishaj, në një deklaratë për televizionin publik kroat HRT, ka thënë se “dëshmorët dhe të rënët në luftë ua hapin sytë të gjallëve”.