Celebrities Ndryshe

“Konkurrente e kam Gridën”, Erla Mëhilli flet pa filtra për Blendi Fevziun, Eni Vasilin, Sonila Meçon e të tjerë!

E ftuar në “Ndryshe” në Top Albania Radio ishte Erla Mëhilli, moderatorja e emisionit politik “Now me Erla Mëhillin” në Euronews Albania. Për vite me radhë, publiku e njohu si zëdhënëse të Sali Berishës. Në vitin 2021, ajo kaloi nga komunikimi politik në drejtimin e një emisioni ku pyetjet për politikanët tashmë i bën vetë.

Në “Ndryshe”, Mëhilli foli për aktualitetin politik, protestat qytetare dhe rolin e opozitës. Sipas saj, Partia Demokratike kërkoi t’i bashkohej një proteste pasi qytetarët kishin arritur të bënin atë që vetë partia nuk e kishte bërë dot. Më pas, biseda kaloi nga politika te njerëzit që e diskutojnë atë çdo mbrëmje në ekran. Në një pyetësor pikant për kolegët, Erla tregoi kë sheh si rivale, cilën moderatore ka pasur si model dhe me kë do të dilte për një darkë pa kamera.

Grida Duma

“Konkurente e kam unë, sepse nuk jemi në klub shoqesh këtu.” Erla tha se mes emisioneve të tyre ka rivalitet, por me Gridën ka marrëdhënie të mirë. Kur takohen jashtë studios, u ndodh të flasin për ndonjë të ftuar apo për ndonjë çështje politike.

Blendi Fevziu

Nga Fevziu do të merrte studion e madhe. Me humor, Erla kujtoi një mbrëmje kur kishte numëruar njëmbëdhjetë veta në panelin e tij. Sipas saj, me aq shumë të ftuar, debati nis që kur secili përpiqet të marrë fjalën. Studion e vet e përshkroi si më intime dhe më të ngrohtë.

Eni Vasili

“Eni ka qenë më e prerë.” Pikërisht këtu e sheh Erla dallimin mes tyre në drejtimin e debatit. Për veten pranoi se ndonjëherë tregohet më tolerante nga sa do të donte.

Ylli Rakipi

“Është i lezetshëm shumë. Ka një mënyrë krejt të vetën.” Erla ka qenë e ftuar tek Ylli dhe kujton spontanitetin me të cilin ai u thotë të ftuarve se i kanë mbetur edhe dy pyetje në skaletë, pastaj do t’i lërë të lirë. Mënyra si e drejton bisedën i kujton muhabetet në kafene.

Andi Bushati

“Andi Bushatin unë e dua shumë.” Dikur e kishte analist ekskluziv në emision dhe tha se mund ta ftojë sërish kur të dojë. Cilësia që vlerëson tek ai është se u qëndron parimeve dhe mendimit që shpreh në studio.

Sonila Meço

Çfarë i vjen menjëherë në mendje kur dëgjon emrin e saj? “Që flet shpejt.” Kur në studio u përmend edhe elokuenca e Sonilës, Erla ra dakord.

Ilva Tare

Nga të gjithë emrat e përmendur, Ilvën e kishte pasur si model. Kur ajo vendosi të largohej për në SHBA, Erla mori drejtimin e emisionit politik në Euronews Albania. Siç pranoi vetë, nuk ishte e lehtë të zëvendësonte një figurë që e admironte.

Mirela Milori

Për kolegen e saj, Erla përdori shprehjen “stil CNN”. E përshkroi Mirelën si të qetë, të pjekur dhe të dashur, duke veçuar sigurinë që i jep ekranit një figurë me përvojë.

Me kë do të darkonte pa kamera dhe pa mikrofona?

“Me të gjithë”, ishte përgjigjja e parë. Më pas veçoi Gridën, me të cilën do të bënte thashetheme, dhe Ilvën, me të cilën do të donte të fliste më gjatë. Herën e fundit ishin takuar vetëm për pak minuta, kur Ilva kishte ardhur në Tiranë për një konferencë.

JavaScript is required for tabnav widget to work properly.