Gazetari Isa Myzyraj ka dënuar aktet e dhunës nga të gjitha palët në protestat e zhvilluara në Tiranë, por specifikisht sipas tij, dhunë ‘e mirëfilltë’ është ajo kur disa persona me shkopinj kishin dalë para selisë së PS për ta mbrojtur nga protestuesit e dhunshëm.

“Ajo që them është që kjo dhuna e pretenduar, shumë e madhe… Unë personalisht dënoj çdo akt dhune në protestë. Edhe mundet që një 17 vjeçar të kapë një gurë dhe ta hedhë drejt një institucioni shtetëror, por ajo që nuk mund të justifikohet është kjo”, tha Myzyraj duke nxjerrë edhe fotografinë ku disa huliganë ndodhen para selisë së PS-së gjatë protestës, për të mbrojtur nga protestuesit.

Në emisionin ‘Repolitix’ me gazetarin Denis Minga në Report Tv, Myzyraj tha se kryeministri Edi Rama dhe qeveria e tij kishin një shans të artë për t’u reformuar nga protesta e ‘Flamingove’, por kjo sipas tij nuk ndodhi.

“Kur nisi protesta e dhunshme, deputetët e PS dhe përfaqësuesit e Qeverisë, nisën të lavdëronin protestën e qershorit, të quajtur ‘revolucioni Flamingo’. A thua ti se këta e kanë dashur aq shumë, saqë janë të gatshëm të zbresin në shesh për ta mbështetur atë protestë. Nuk duhet harruar se që ditën e parë të protestës së revolucionit Flamingo, ajo protestë është anatemuar. Mos të harrojmë postimet e kryeministrit dhe përfaqësuesve të PS-së, që i kanë marrë emër për emër protestuesit, duke i nxjerrë me foto atë protestë paqësore e aq të bukur, që sot e vlerësojnë dhe i kanë nxjerrë në postime në Facebook, u kanë bërë listën e shtëpisë. Ai është intimidim, për të mos dalë të tjerët në protestë, sepse do të përfundonin në profilin e kryeministrit të vendit dhe pastaj në aparatin e propagandës së Qeverisë. Rama dhe qeveria e tij kanë pasur një shans të artë që të reformohen nga protesta e Flamingove”, tha mes të tjerash Myzyraj.


Lajmi kryesor:

Protestat/ Deputeti Bido: Ajo lloj dhune nuk ishte parë as në 1997-ën! Sulmet nuk kryheshin nga studentët, por nga njerëz të organizuar nga PD dhe parti të tjera opozitare