Scott McTominay ka zbuluar detaje të vështira nga periudha para debutimit të Skocisë në Kupën e Botës 2026. Mesfushori i Napolit iu nënshtrua një procedure mjekësore për të korrigjuar çrregullimin e ritmit të zemrës, vetëm 48 orë përpara ndeshjes së parë kundër Haitit.
Futbollisti 29-vjeçar tregoi se u vu në gjumë dhe iu dha një goditje elektrike në zemër për të rikthyer ritmin normal. Gjithçka ndodhi në Boston, në prag të një prej ndeshjeve më të rëndësishme të karrierës së tij. Pas ndërhyrjes, mjekët i dhanë lejen për të luajtur.
“Botërori ishte i vështirë për mua. Në fund, më duhej të shkoja për të marrë goditjen elektrike në zemër, vetëm dy ditë para ndeshjes me Haitin. Ishte përgatitur gjithçka në mënyrën më të mirë, isha në një gjendje fizike fantastike dhe papritur ndodh diçka e tillë. Pyetja e parë që i bëra vetes ishte: Si mund të më ndodhte kjo?”, rrëfeu McTominay.
Pavarësisht situatës, mesfushori arriti të aktivizohej në të tria ndeshjet e Skocisë në fazën e grupeve. Ai luajti 90 minuta në fitoren 1-0 ndaj Haitit, ku golin vendimtar e shënoi John McGinn, ndërsa ishte në fushë edhe në përballjet kundër Marokut dhe Brazilit.
Megjithatë, eliminimi i Skocisë që në fazën e grupeve mbeti një zhgënjim i madh për futbollistin e Napolit. Ai pranoi se iu deshën disa javë për ta përballuar emocionalisht atë që ndodhi.
“Të gjendesh në një shtrat spitali, dy ditë para ndeshjes së parë të Botërorit, duke pritur të të vënë në gjumë për një ndërhyrje, nuk është aspak ideale. Pas përfundimit të turneut isha jashtëzakonisht i zhgënjyer. Ndoshta ishte zhgënjimi më i madh i karrierës sime”, tha ai.
McTominay shtoi se pushimi prej tri javësh, gjatë periudhës së rikuperimit pas ndërhyrjes, e ndihmoi të rifitonte qetësinë dhe të linte pas një nga periudhat më të vështira të karrierës së tij. Tashmë, ai është rikthyer në dispozicion të kombëtares skoceze.
© SYRI.net
Mourinho i sugjeron Cucurellas një tatuazh me fytyrën e tij: Më dërgoi edhe një foto
VIDEO/ Fitorja e Mourad Aliev në Stamboll përfundon në dhunë, boksieri francez sulmohet nga tifozët pasi i provokoi
Argjentina kërkon pasuesin e Messit, Scaloni në dilemë për fanellën me numrin 10Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: