Presidenti amerikan Donald Trump ka folur për herë të parë drejtpërdrejt për dëshmitë e pilotëve ushtarakë që pretendojnë se kanë parë objekte fluturuese të paidentifikuara, duke zbuluar detaje të pazakonta nga rrëfimet që ka dëgjuar në Shtëpinë e Bardhë. Gjatë një interviste për emisionin “60 Minutes” të CBS, Trump tregoi se disa pilotë të Forcave Ajrore amerikane kanë raportuar se kanë parë objekte misterioze, të cilat, sipas tyre, kryenin lëvizje që nuk mund të shpjegoheshin lehtësisht. “Ata pilotonin F-22, avionët më të mirë dhe më të shpejtë, por diçka i parakaloi me një shpejtësi tri herë më të madhe. Ishte një objekt i rrumbullakët, jo aerodinamik. Ndoshta ishte një kometë”, u shpreh Trump, duke lënë të hapur mundësinë e një shpjegimi natyror, për atë që pilotët pretendojnë se kanë parë.