Një fotografi me flamurin malazez dhe një përshëndetje për Shkodrën si “qytet i lashtë serb” i kanë kushtuar tre vite burg politikanit malazez Vladislav Dajkoviç, sipas deklaratës së tij për mediat në Mal të Zi. Kryetari i partisë “Mali i Zi i Lirë” thotë se vendimi është marrë nga Gjykata e Shkodrës, për një publikim të bërë gjashtë vite më parë, ku ai shfaqej me flamurin trengjyrësh malazez dhe shkruante: “Përshëndetje të gjithëve nga Shkodra e lashtë serbe”. Sipas Dajkoviç, gjykata e ka dënuar për nxitje të urrejtjes dhe përçarjes kombëtare. Politikani malazez thotë se dënimi është ulur nga tre vite në një vit burg, për shkak të rrethanave familjare dhe mungesës së precedentëve penalë. Ai pretendon gjithashtu se nuk ka marrë mbështetjen e autoriteteve të Malit të Zi gjatë procesit gjyqësor.