Shtëpia e Bardhë ka nominuar Mikhail Bogacheku-n për ambasador të SHBA-së në Kosovë.
“Mikhail Bogachek, nga Florida, do të jetë ambasador i jashtëzakonshëm dhe i plotëfuqishëm i shteteve të Bashkuara të Amerikës në Republikën e Kosovës”, thuhet në njoftimin e Shtëpisë së Bardhë, ndërsa emri tashmë është dërguar në Senat për konfirmim.
Michael E. Bogachek nga Florida ka një përvojë profesionale 25-vjeçare në sektorin privat, veçanërisht në shëndetësi, teknologji dhe drejtim institucional. Ai ka mbajtur pozicionin e drejtorit ekzekutiv të Organizatës së Shteteve Amerikane, ku mbikëqyr administratën, financat, burimet njerëzore, prokurimin, teknologjinë informative dhe menaxhimin e rrezikut.
Më herët ka qenë drejtor operativ i kompanisë VativoRx, e cila ofron shërbime të menaxhimit të përfitimeve farmaceutike për mbi 1.4 milion persona në SHBA.
Po ashtu ai është themelues i kompanisë Cooperton, e specializuar në sigurinë kibernetike dhe menaxhimin e krizave, si dhe i PharmaLife, kompani që ka zhvilluar sisteme elektronike për menaxhimin e të dhënave shëndetësore.
I diplomuar në inxhinieri industriale dhe të sistemeve në Georgia Institute of Technology dhe ka doktoraturë në bioinxhinieri. Në vitin 2026 ka përfunduar programin e menaxhimit për drejtues në Harvard Business School. Bogachek numëron mbi 20 publikime shkencore dhe flet rrjedhshëm rusisht, ukrainisht dhe hebraisht.










