Bullgaria ka shpallur sot ditë zie kombëtare pas aksidentit masiv në autostradën Trakia, ku humbën jetën 12 persona.
Sipas të dhënave zyrtare, 48 persona u lënduan. Aksidenti ndodhën të martën në mëngjes, pranë qytetit të Jambollit, në autostradën Trakia, e cila lidh kryeqytetin Sofje me qytetin e Burgasit, në brigjet e Detit të Zi.
Në aksidentin zinxhir u përfshinë më shumë se 50 automjete, mes tyre makina dhe mjete të rënda transporti.
Pamjet e filmuara me dron dhe të publikuara nga televizioni bullgar Nova tregojnë aksidentin zinxhir në kushte mjegulle të dendur, ku kamionë, furgonë dhe automjete të vogla janë përplasur dhe kanë mbetur të bllokuara në të gjithë karrexhatën. Zjarrfikëset dhe ambulancat janë rreshtuar përgjatë rrugës, ndërsa ekipet e emergjencës, të veshura me jelekë fosforeshentë, lëvizin mes automjeteve të shkatërruara.
Pamjet nga afër, tregojnë disa makina të dëmtuara rëndë, të shtypura mes kamionëve, ndërsa mbetjet e automjeteve janë shpërndarë në të gjithë rrugën.
Të mbijetuarit kanë rrëfyer momentet e tmerrit kur automjetet u përplasën njëri pas tjetrit.
Një burrë, i cili po drejtonte një makinë, i tha gazetarëve të televizionit Nova se një kamion ishte përplasur me ta nga pas.
"Ishte e tmerrshme! Kamioni i kuq na goditi nga prapa. E dëgjoja që po afrohej dhe frenonte fort. I thashë kolegut: 'Mbahu fort, do të na përplaset!'", rrëfeu ai.
"Na goditi dhe na përplasi drejt barrierës anësore të rrugës. Ne goditëm një makinë tjetër dhe, brenda pak sekondash, ndërsa po përpiqeshim të dilnim nga automjeti, të gjitha makinat e tjera u përplasën me njëra-tjetrën."
Një grua, e cila ndodhej si pasagjere në një autobus të përfshirë në aksident, i tha televizionit Nova se gruri kishte hyrë brenda autobusit përmes xhamave të thyer.
"Tmerri i vërtetë ishte brenda autobusit. Gruri binte mbi ne nga lart, përmes dritareve. Të gjithë xhamat ishin thyer, copat e qelqit binin gjithandej dhe ne ishim grumbulluar njëri mbi tjetrin. Disa kishin rënë përtokë, të tjerë ishin plagosur, ndërsa disa kishin mbetur të bllokuar", tregoi ajo.
Todor Mishinev, drejtuesi i policisë rrugore në Jamboll, deklaroi se ekipet e shpëtimit u detyruan të prisnin pjesët metalike të automjeteve për të nxjerrë personat e bllokuar, përfshirë edhe ata që ndodheshin në kamionët cisternë.
Autostrada është mbyllur në të dyja drejtimet, në segmentin mes nyjeve rrugore të Zimnicës dhe Kabilës. Agjencia Bullgare e Infrastrukturës Rrugore bëri të ditur se bllokimi do të zgjasë për një periudhë të pacaktuar, për shkak të përfshirjes së mjeteve të rënda dhe hetimeve për zbardhjen e rrethanave të aksidentit.
Rrugët e Bullgarisë renditen ndër më të rrezikshmet në Bashkimin Evropian.









Komente
Komento