Një rrjedhje gazi në një furrë buke në lagjen “Afrim i Ri” në Fier ka rrezikuar jetën e një çifti bashkëshortor, mëngjesin e sotëm. Ngjarja është regjistruar rreth orës 06:00, në banesën e familjes Kola, ku bashkëshortët kishin ngritur edhe aktivitetin e tyre familjar për prodhimin e bukës.
Pas konstatimit të situatës, është kërkuar ndërhyrja e shërbimeve të urgjencës. Dy autoambulanca kanë mbërritur në adresë dhe kanë transportuar drejt Spitalit Rajonal të Fierit Janaq Kolën, rreth 60 vjeç, si dhe bashkëshorten e tij.
Të dy kanë mbërritur në spital me shenja asfiksie, si pasojë e ekspozimit ndaj gazit. Sipas informacioneve paraprake, gjendja e tyre shëndetësore është stabilizuar dhe aktualisht ndodhen jashtë rrezikut për jetën, ndërsa po marrin ndihmën e nevojshme mjekësore.
Nuk janë bërë ende të ditura rrethanat se si u zbulua rrjedhja e gazit dhe kush njoftoi i pari shërbimet e emergjencës. Fatmirësisht, ndërhyrja në kohë bëri të mundur shmangien e pasojave më të rënda.
Ndërkohë, policia ka mbërritur në vendngjarje dhe po kryen verifikimet për të përcaktuar shkaqet e rrjedhjes së gazit dhe rrethanat e plota të incidentit.