Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, ka folur në një intervistë për Klan News, ku ka prekur disa nga çështjet më të rëndësishme të aktualitetit të futbollit shqiptar, nga afrimi i portierit Elia Caprile te situata e Armando Brojës dhe zhvillimet në institucionin që ai drejton.
Duka konfirmoi se portieri Elia Caprile ka shprehur dëshirën për të përfaqësuar Shqipërinë, ndërsa bëri të ditur se procesi lidhet edhe me dokumentacionin dhe statusin e bashkëshortes së tij.
“Caprile ka shprehur dëshirën të luajë me Shqipërinë. Lidhet edhe statusi i bashkëshortes, e cila duhet të pajiset me pasaportë, por është diçka që nuk është vetëm në dorën tonë, pasi ka disa dokumentacione për të cilat jemi duke punuar. Nëse ndodh, nuk do të ndodhë tani. Do të ishte një vlerë e shtuar për ne”, u shpreh kreu i FSHF-së.
Një tjetër temë e rëndësishme ishte Armando Broja. Pavarësisht vështirësive që sulmuesi ka kaluar, Duka vijon të besojë te potenciali i tij, duke e cilësuar si talentin më të madh që ka pasur Shqipëria.
“Broja? Talenti më i madh që kemi dhe kemi pasur. Besoj ende tek ai, pasi nuk kemi marrë maksimumin as ne prej tij dhe as ai nga vetja”, deklaroi Duka.
Presidenti i FSHF-së shprehu gjithashtu zhgënjimin për mosmiratimin e ligjit të sponsorizimit, një çështje që sipas tij është diskutuar prej vitesh dhe që mbetet e rëndësishme për zhvillimin e sportit shqiptar.
“Jam i zhgënjyer nga mosaprovimi i ligjit të sponsorizimit. Kemi kaq vite që flasim. Uroj të aprovohet, ashtu siç na është premtuar dikur”, theksoi ai.
Sa i përket marrëdhënieve me Kosovën, Duka hodhi poshtë çdo ide për rivalitet mes dy federatave: “Asnje konkurrence me Kosovën, ne lobuam që ata te anëtarësoheshin dhe te kishin perfaqesuese”
Në lidhje me diskutimet për trajnerët Maran dhe Sylvinho, Duka u tregua diplomatik, duke theksuar se mbështet gjithmonë teknikun që është në detyrë.
Ndërsa për zgjedhjet e lojtarëve dhe listën e Kombëtares, kreu i FSHF-së nënvizoi se vendimet i takojnë trajnerit dhe janë në thelb subjektive.
“Subjektive. Ai merr ata që mendon se mund t’i japin rezultat”, përfundoi Armand Duka.
