Në dosjen voluminoze të SPAK-ut, të dorëzuar për gjykim në GJKKO ndaj organizatës kriminale të drejtuar nga Ervis Çela dhe Franc Çopja, dalin në pah detaje tronditëse mbi mënyrën se si fshiheshin dhe pastroheshin miliona euro të fituara nga trafiku i drogës.
Komunikimet e sekuestruara nga aplikacionet e enkriptuara Sky ECC, EncroChat dhe Exclu zbulojnë skena të ngjashme me filmat e metrazhit të gjatë: Paleta të tëra të mbushura me stivë parash, shqetësime të trafikantëve se po u prishen makineritë e numërimit për shkak të ngarkesës së jashtëzakonshme të cash-it, si dhe diskutime konkrete për groposjen e miliona eurove pranë rrënjëve të pemëve të ullirit apo investimin e tyre në lingota ari.
Sipas hetimeve të Prokurorisë së Posaçme, kjo organizatë ka operuar në një shkallë gjigante, duke trafikuar rreth 60 tonë kokainë nga vendet e Amerikës Latine drejt tregjeve evropiane, me një vlerë totale që llogaritet në qindra miliona euro.
Skema kriminale shtrihej përtej kufijve të rajonit, duke përfshirë bashkëpunimin e drejtpërdrejtë me dy shtetas uruguaianë, Sebastian Cabrera dhe Federico Santoro.
Këta të fundit u arrestuan më parë nga Agjencia Amerikane Kundër Narkotikëve (DEA) dhe u ekstraduan drejt SHBA-së në kuadër të goditjeve ndërkombëtare ndaj karteleve të trafikut të lëndëve narkotike.