Partia Demokratike ka akuzuar mazhorancën se po bllokojnë qëllimisht nismat ligjore të opozitës, duke i mbajtur ato në sirtar dhe pa u caktuar datë shqyrtimi.

Në Konferencën e Kryetarëve, PD kërkoi përfshirjen në rendin e ditës dhe votimin e paketës me katër nisma për shfuqizimin e ligjit për Investimet Strategjike, ndryshimeve në ligjin për Zonat e Mbrojtura, ligjit për Paketën e Maleve dhe disa dispozitave të ligjit për Trashëgiminë Kulturore.

Sipas PD, bllokimi i nismave lidhet  me problematikat e evidentuara në Raportin e Komisionit Evropian, duke akuzuar mazhorancën për dobësim të kontrollit parlamentar, cenim të të drejtave kushtetuese të opozitës dhe moszbatim të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.

“Nuk mund të ketë demokratizim dhe as përparim në procesin e integrimit evropian, kur mazhoranca, në shkelje të rregullave, ligjit dhe vetë Kushtetutës, e trajton Kuvendin si një institucion njëpartiak, ku vendimmarrja përcaktohet vetëm nga numrat dhe jo nga respektimi i Kushtetutës, ligjit dhe rregullores parlamentare. Kthejeni këtë institucion në shinat e kushtetutshmërisë! Mos e përdorni Kuvendin si paradhomë të Partisë Socialiste. Ju nuk mund t'i trajtoni institucionet e këtij vendi si pronë private. Nuk mund t'i përdorni ato sipas interesave tuaja politike dhe as të përjashtoni opozitën nga funksionimi normal i institucioneve kushtetuese”, tha Belind Këlliçi.

Lajm në përditësim...