Bullgaria në zi kombëtare, mjegulla dyshohet se shkaktoi tragjedinë me 86 automjete Deputeti demokrat, njëkohësisht nënkryetari i Grupit Parlamentar te Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, në mbledhjen e Konferencës se Kryetareve, ka akuzuar mazhorancën se po bllokojnë qëllimisht nismat ligjore të opozitës, duke i mbajtur ato në sirtar, pa u caktuar datë shqyrtimi.
Këlliçi kërkoi përfshirjen në rendin e ditës dhe votimin e paketës me katër nisma për shfuqizimin e ligjit për Investimet Strategjike, ndryshimeve në ligjin për Zonat e Mbrojtura, ligjit për Paketën e Maleve dhe disa dispozitave të ligjit për Trashëgiminë Kulturore.
Duke u ndalur te Investimet Strategjike, ai deklaroi se pas 11 vitesh zbatim, 98% e kontratave u përkasin pesë oligarkëve dhe përfaqësuesve të krimit të organizuar, ndërsa vetëm 2% lidhen me investitorë të huaj, mes të cilëve, sipas tij, edhe dy miq personalë të kryeministrit Edi Rama.
Fjala e plotë e Këlliçit në Konferencën e Kryetarëve:
Po vërej sërish se nismat e opozitës vazhdojnë të mbeten pa një datë shqyrtimi. Kjo do të thotë se ju po vijoni me të njëjtën sjellje të vjetër: duke mbajtur në sirtar çdo nismë të opozitës dhe duke mos i marrë ato në konsideratë.
Po jua rikujtoj edhe një herë se bëhet fjalë për një paketë të plotë ligjore, e cila përfshin:
Shfuqizimin e ligjit për Investimet Strategjike.
Shfuqizimin e ndryshimeve në ligjin për Zonat e Mbrojtura.
Shfuqizimin e ligjit për Paketën e Maleve.
Shfuqizimin e disa dispozitave të ligjit për Trashëgiminë Kulturore.
Këto nisma po i mbani peng. Ato duhej të ishin pjesë e seancës me te parë parlamentare.
Dhe dua ta theksoj qartë: këto nuk janë thjesht nisma të Partisë Demokratike. Ato pasqyrojnë kërkesa të drejtpërdrejta të institucioneve të Bashkimit Evropian dhe lidhen drejtpërdrejt me kushtet për avancimin e procesit të integrimit evropian të Shqipërisë.
Sepse është tashmë e qartë se këto ligje janë problematike, favorizuese, të lidhura me interesa korruptive dhe në kundërshtim me normat demokratike dhe standardet e Bashkimit Evropian.
Në të gjitha këto ligje gjendet i njëjti model: përdorimi i ligjit për të vënë pronën, territorin dhe pasuritë publike në funksion të interesave private. Një model që ushqen favorizimin, zhvatjen dhe pasurimin e paligjshëm, ndërsa shoqërohet me korrupsion, fshehje pasurie dhe pastrim parash.
Dua të ndalem veçanërisht te Ligji për Investimet Strategjike.
Pas 11 vitesh zbatim, është faktuar tashmë se 98% e kontratave të përfituara përmes këtij ligji u përkasin pesë oligarkëve dhe përfaqësuesve të krimit të organizuar, të cilët kanë marrë statusin e investitorit strategjik. Ndërkohë, vetëm 2% e vendimeve janë për investitor te huaj, dhe edhe këta janë dy njerëz të afërt kryeministrit Edi Rama.
Pa përmendur këtu faktin se ky ligj është përdorur si instrument për pastrimin e parave të pista, veçanërisht në sektorin e ndërtimit ne bregdet.
Prandaj, zoti Kryetar, është detyrimi juaj që këto nisma t’i përfshini në rendin e ditës dhe, madje, të dilni garant që ato të shqyrtohen dhe të votohen në Parlament.
Pse po e bëj këtë thirrje pikërisht sot?
Sepse kjo mbledhje vjen vetëm pak ditë pas publikimit të Raportit të Komisionit Evropian. Një raport që nxin Shqipërinë dhe, fatkeqësisht, në këtë tablo të errët përfshihet edhe Kuvendi i Shqipërisë.
Ndër problematikat e shumta, Raporti i Komisionit Evropian evidenton dobësimin e kontrollit parlamentar. Dhe për këtë, zoti Kryetar, ju mbani përgjegjësi të drejtpërdrejtë.
Nuk mund të ketë demokratizim dhe as përparim në procesin e integrimit evropian, kur mazhoranca, në shkelje të rregullave, ligjit dhe vetë Kushtetutës, e trajton Kuvendin si një institucion njëpartiak, ku vendimmarrja përcaktohet vetëm nga numrat dhe jo nga respektimi i Kushtetutës, ligjit dhe rregullores parlamentare.
Raporti evidenton qartë:
Mosfunksionimin demokratik të Parlamentit dhe cenimin e të drejtave kushtetuese të opozitës.
Shkeljen e parimit të barazisë përpara ligjit në çështjen e imunitetit të Belinda Ballukut.
Moszbatimin nga shumica parlamentare të disa vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.
Dhe këto janë vetëm disa prej problematikave të shumta që evidenton raporti.
Prandaj, të nderuar kolegë,
Kthejeni këtë institucion në shinat e kushtetutshmërisë! Mos e përdorni Kuvendin si paradhomë të Partisë Socialiste.
Ju nuk mund t’i trajtoni institucionet e këtij vendi si pronë private. Nuk mund t’i përdorni ato sipas interesave tuaja politike dhe as të përjashtoni opozitën nga funksionimi normal i institucioneve kushtetuese.
E keni bërë këtë dhe për këtë arsye keni humbur besimin e qytetarëve. E keni bërë këtë dhe për këtë arsye keni marrë urrejtjen e studentëve. E keni bërë këtë duke menduar se pushteti dhe institucionet janë pronë e juaja.
Por institucionet nuk janë pronë e askujt.
Dhe fundi politik i kësaj mënyre qeverisjeje tashmë dihet.
Top Channel