Deputetja socialiste Sara Mila në SPAK, dyshohet për shitblerje votash
Deputetja e Partisë Socialiste, Sara Mila, është paraqitur këtë të mërkurë në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), në kuadër të një hetimi që lidhet me dyshimet për manipulim të procesit zgjedhor dhe shitblerje votash.
Sipas informacioneve nga burime pranë çështjes, emri i deputetes socialiste është evidentuar në përgjimet e një grupi kriminal, të cilat lidhen me aktivitetin e këtij grupi gjatë zgjedhjeve të kaluara. Hetimet dyshohet se kanë nxjerrë në pah komunikime që lidhen me blerjen dhe trafikimin e votave.
Mësohet se Mila pritet të japë shpjegime përpara prokurorit Bledar Maksuti, i cili po ndjek çështjen. Në fokus të pyetjeve pritet të jenë rrethanat dhe komunikimet e evidentuara gjatë hetimeve, si dhe çdo element që mund të ndihmojë në sqarimin e dyshimeve për përfshirje në veprimtari të paligjshme zgjedhore.
Paraqitja e deputetes në SPAK vjen në një kohë kur hetimet për ndikimin e grupeve kriminale në zgjedhje dhe dyshimet për deformimin e vullnetit të votuesve mbeten në vëmendjen e organit të posaçëm.
Sipas të njëjtave burime, pas marrjes në pyetje, ndaj Sara Milës pritet të ndërmerren hapa të mëtejshëm proceduralë, ndërsa bëhet fjalë për mundësinë e marrjes së saj si e pandehur. Megjithatë, deri në këto momente, SPAK nuk ka bërë publik asnjë njoftim zyrtar për paraqitjen e deputetes apo statusin e saj në këtë hetim.
Çështja mbetet në fazën e hetimit dhe dyshimet e ngritura ndaj deputetes duhet të vlerësohen në përputhje me procedurat ligjore.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



