Pesë vajza të mitura humbën jetën në Kamboxhia, kur automjeti që po i transportonte për në shkollë doli nga rruga dhe ra në një pellg të thellë me ujë.
Aksidenti ndodhi të martën në mëngjes, më 10 nëntor, në provincën Kandal, rreth 40 kilometra në veri të Phnom Penhit, kryeqytetit të vendit.
Të lidhura
None found
Në mjet udhëtonin 26 nxënëse të moshës 12 deri në 14 vjeç, të cilat po shkonin në shkollën ndërkombëtare BELTEI. Sipas të dhënave paraprake, një motoçikletë u shfaq papritur përpara automjetit që po lëvizte me shpejtësi. Shoferi frenoi fort dhe u përpoq të shmangte përplasjen, por humbi kontrollin dhe doli nga rruga, duke përfunduar në pellgun anësor.
Mjeti u zhyt pjesërisht në ujë, çka ua vështirësoi nxënëseve daljen, megjithëse pellgu ndodhej vetëm pak metra larg bregut.
Banorët e zonës ndërhynë për të nxjerrë vajzat e bllokuara në automjet. Disa nxënëse u nxorën nga uji dhe iu dha menjëherë ndihma e reanimimit kardiopulmonar, por pesë prej tyre nuk mbijetuan. Policia bëri të ditur se vajzat vdiqën nga mbytja. Nga gjithsej 26 nxënëset, tri të tjera mbetën në gjendje kritike dhe 18 pësuan lëndime të lehta.
Shoferi 31-vjeçar është ndaluar nga autoritetet për t’u marrë në pyetje. Hetimet paraprake po shqyrtojnë nëse shpejtësia dhe manovra për të shmangur motoçikletën çuan në humbjen e kontrollit. Drejtuesi i shkollës BELTEI shprehu tronditjen dhe dhimbjen për vdekjen e pesë nxënëseve. Hetimet për përcaktimin e përgjegjësive vijojnë.








