Arrestohet ish-ministri i Ekonomisë së Vuçiçit në Beograd, u kap në aeroport teksa tentonte të largohej nga vendi
Rade Basta, ish-ministër i Ekonomisë në qeverinë e Serbisë gjatë presidencës së Aleksandar Vuçiçit, është arrestuar mëngjesin e sotëm gjatë një operacioni të koordinuar të Prokurorisë së Lartë Publike në Beograd dhe pjesëtarëve të Shërbimit për Luftën kundër Korrupsionit (SBPOK).
Basta ka mbajtur postin e ministrit të Ekonomisë në qeverinë e drejtuar nga Ana Brnabić, gjatë kohës kur Aleksandar Vuçiç ishte president i Serbisë. Ai ka qenë gjithashtu drejtor i ndërmarrjes publike “Beogradske elektrane”.
Sipas raportimeve të Radio Televizionit të Serbisë (RTS), ish-ministri është ndaluar në momentin kur po tentonte të largohej nga Serbia. Ai është arrestuar me urdhër të Prokurorisë së Lartë Publike në Beograd.
Basta dyshohet për shpërdorim detyre gjatë periudhës kur drejtonte ndërmarrjen publike “Beogradske elektrane”, një prej sistemeve më të mëdha komunale në vend. Sipas dyshimeve, përmes veprimeve të tij kësaj ndërmarrjeje i është shkaktuar një dëm financiar që arrin në dhjetëra miliona dinarë.
Ndërkohë, sipas informacioneve jozyrtare të RTS-së, arrestimi i Bastës është vetëm një pjesë e një hetimi më të gjerë.
Ekipet e policisë po kryejnë kontrolle të detajuara në banesa dhe ambiente biznesi në disa adresa në kryeqytetin serb. Gjithashtu, raportohet se po shoqërohen edhe disa persona të tjerë, të dyshuar për përfshirje në operacionet financiare që lidhen me ish-ministrin.
Hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të çështjes dhe përcaktimin e përgjegjësive të personave të përfshirë.
/vizionplus.tv




