Dy persona të shpallur në kërkim janë arrestuar nga Policia Kufitare në Rinas, gjatë kontrolleve dhe verifikimeve të kryera në hyrje dhe dalje të territorit shqiptar.
Në pranga ka rënë një shtetas turk, Enes Uguz 31 vjeç, i cili kërkohej ndërkombëtarisht nga autoritetet e Turqisë për veprën penale të mashtrimit të kryer gjatë ushtrimit të veprimtarisë tregtare. Ai u kap në dalje të Republikës së Shqipërisë, ndërsa Gjykata Penale e Shkallës së Parë Nr. 2 në Gebze kishte lëshuar urdhër arresti ndaj tij më 31 korrik 2026.
Interpol Tirana, në bashkëpunim me autoritetet turke, po vijon procedurat për ekstradimin e 31-vjeçarit drejt Turqisë.
Ndërkohë, në hyrje të Shqipërisë është kapur edhe një 27-vjeçar, i identifikuar si Edison Vukaj, i shpallur në kërkim nga autoritetet shqiptare. Ai ishte dënuar nga Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, më 3 qershor 2025, me 3 vite e 4 muaj burgim për veprën penale “Vjedhja me dhunë”, kryer në bashkëpunim.
Të dy rastet u konstatuan nga shërbimet e Policisë Kufitare Rinas, në kuadër të kontrolleve për kapjen e personave të shpallur në kërkim.
