32.2 miliardë lekë për spitalet në vitin 2027, Spahiu: Shërbime më cilësore, me pacientin gjithmonë në qendër

Shëndet | 14 minuta më parë

32.2 miliardë lekë parashikohen në Buxhetin e vitit 2027 për financimin e shërbimit spitalor në vend. Reforma synon ndryshimin gradual të modelit të financimit dhe menaxhimit të spitaleve, me fokus rritjen e eficiencës dhe përmirësimin e cilësisë së shërbimit për pacientët.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, fondet synojnë të mbulojnë trajtimin e rreth 370 mijë pacientëve në 5 spitale terciare, 12 spitale rajonale dhe 23 spitale bashkiake.

Gjatë një vizite në Spitalin Rajonal të Korçës, ministrja e Shëndetësisë, Klodiana Spahiu, u shpreh se reforma nuk do të përqendrohet vetëm te investimet në infrastrukturë, por edhe te mënyra se si menaxhohen spitalet dhe ofrohen shërbimet.

“Shëndetësia nuk matet vetëm me investimet që bëhen, por mbi të gjitha me shërbimin që merr qytetari kur ka nevojë. Ky është synimi i reformës spitalore që po ndërmarrim: spitale më moderne, më mirë të menaxhuara dhe shërbime më cilësore, me pacientin gjithmonë në qendër”, u shpreh ministrja Spahiu.

Një prej investimeve kryesore të parashikuara është ndërtimi i godinës së re multifunksionale të Spitalit Rajonal të Korçës, me një vlerë totale prej 1.41 miliardë lekësh. Për vitin 2027 janë planifikuar 422.8 milionë lekë për këtë projekt.

Ndërkohë, programi i investimeve parashikon vijimin e rikonstruksionit të spitaleve në Pogradec, Lushnjë, Mat dhe Dibër, përfundimin e ndërhyrjeve në Spitalin Rajonal të Gjirokastrës, si dhe investime në maternitetet, strukturat e shëndetit mendor dhe shërbimet e urgjencës.

Një tjetër element i reformës është ndryshimi i modelit të financimit, me synimin që fondet publike të përdoren në mënyrë më efikase dhe financimi të lidhet gradualisht me cilësinë e shërbimit dhe rezultatet për pacientët.

“Synimi ynë nuk është thjesht të ndërtojmë spitale të reja, por të krijojmë struktura funksionale, me pajisje moderne, personel të kualifikuar dhe mundësi për të marrë shërbime sa më pranë vendbanimit. Ky është kuptimi i reformës sonë: më shumë investime, më shumë përgjegjësi dhe mbi të gjitha, më shumë cilësi dhe siguri për çdo qytetar”, theksoi ministrja.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme