Ish-ministri i Ekonomisë në Serbi Rade Basta, është arrestuar me urdhër të Prokurorisë së Lartë Publike në Beograd, nën dyshimet se gjatë kohës kur drejtonte ndërmarrjen publike “Beogradske elektrane” e ka dëmtuar atë financiarisht me dhjetëra miliona dinarë.
Sipas mediave serbe, Basta ka miratuar donacione të pajustifikuara për klube të ndryshme sportive, mes tyre klube të vogla futbolli dhe basketbolli, si dhe një klub kalërimi.
Në operacion janë përfshirë pjesëtarë të Shërbimit për Luftën kundër Korrupsionit, të cilët po kryejnë arrestime dhe kontrolle në ambiente të ndryshme. Mediat serbe raportojnë se në kuadër të të njëjtit hetim po shoqërohen edhe disa persona të tjerë, të cilët dyshohet se kanë lidhje me veprimtarinë e Bastës.
Rade Basta ka mbajtur postin e ministrit të Ekonomisë nga tetori i vitit 2022 deri në vitin 2023, kur u shkarkua nga detyra.
Shkarkimi i tij erdhi pasi në atë kohë ai i kërkoi qeverisë serbe të mbante një qëndrim të menjëhershëm për vendosjen e sanksioneve ndaj Federatës Ruse për shkak të agresionit ndaj Ukrainës. Pas kësaj, ai themeloi lëvizjen “Rruga Evropiane”.
Basta ishte emëruar ministër si përfaqësues i partisë “Jedinstvena Srbija”, e cila gjithashtu kërkoi largimin e tij nga të gjitha funksionet partiake dhe publike ku ishte propozuar nga kjo forcë politike, për shkak të deklaratave të tij në mbështetje të sanksioneve ndaj Rusisë.











Komente
Komento