E mërkurë, 11 Nëntor 2026 Mes'dritë Live deri në 12:00 Në vijim ora 12:00: Lajme Ora 12:00 dhe Moti Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Vendi

“Presim përgjigjen e KE për hapjen e fondit IPARD 3”, ministri Salla: Sigurimi në bujqësi, gati për miratim

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, ka raportuar në Komisionin për Ekonominë, Punësimin dhe Financat mbi buxhetin dhe investimet e parashikuara për vitin 2027. Gjatë diskutimeve, deputeti i Partisë Demokratike, Eno Bozdo, ngriti disa çështje që lidhen me mbështetjen e fermerëve përmes Skemës Kombëtare, ecurinë e programit IPARD 3 dhe krijimin e një fondi të veçantë për përmbytjet.

Ministri Salla deklaroi se të gjitha aplikimet e fermerëve janë plotësuar dhe se asnjë prej tyre nuk ka mbetur jashtë skemës. Ai theksoi se mbështetja për bujqësinë nuk kufizohet vetëm te kjo skemë, por përfshin edhe instrumente të tjera financiare.

“Të gjitha aplikimet që janë bërë, kanë qenë të gjithë fermerët përfitues. Nuk kemi lënë asnjë jashtë. Me aktin normativ të qeverisë shqiptare kemi plotësuar të gjitha kërkesat që janë bërë nga fermerët. Instrumenti tjetër që ne kemi për mbështetjen e këtij sektori nuk është vetëm skema kombëtare, por edhe 10% që ne mbulojmë, 3 mld lekë. Është një buxhet që është kompensuar në mënyra të tjera, sipas kërkesave të fermerëve. Me heqjen e taksës së qarkullimit 32 lekë, në janar 2027 fermerët janë të mbështetur nga ky buxhet i cili hiqet nga taksimi 32 lekë. Në 2027 ne dyfishojmë mbështetjen për 10%. Është një nga skemat që ka rezultuar me një mbështetje të drejtpërdrejtë nga fermerët. Vetëm 6-mujorin e parë, 12.5 milionë euro janë përfituar nga fermerët. Ne nuk kemi hequr asnjë lek nga skema kombëtare, vetëm po shtojmë lek”, tha Salla.

Një tjetër çështje e diskutuar ishte programi IPARD 3 dhe mundësia e hapjes së fondeve për fermerët shqiptarë. Për këtë, ministri Salla deklaroi se çështja është ende në hetim dhe se Ministria e Bujqësisë ka përmbushur të gjitha detyrimet dhe kërkesat e Bashkimit Evropian. Sipas tij, dokumentacioni i kërkuar është dorëzuar dhe tashmë pritet përgjigjja e Komisionit Evropian për hapjen e fondit.

Reklamë

“Nuk dua të zgjatem shumë këtu pasi është një çështje nën hetim. Dua të theksoj se kemi përmbushur të gjitha detyrimet dhe pikat që na janë kërkuar nga BE. Jemi në fazën përfundimtare ku kemi çuar gjithë dokumentacionin që na është kërkuar. Presim përgjigje nga Komisioni Evropian për hapjen e fondit të IPARD 3”, deklaroi ministri.

Në mbledhje u diskutua gjithashtu për krijimin e një fondi të veçantë për përmbytjet dhe ngritjen e një skeme sigurimi në bujqësi, që synon të mbrojë fermerët nga dëmet e shkaktuara nga fatkeqësitë natyrore.

Ministri bëri të ditur se procesi për sigurimin në bujqësi është drejt përfundimit dhe se skema pritet të depozitohet në qeveri për miratim brenda këtij viti. Ai theksoi se për hartimin e saj është marrë modeli turk, ndërsa procesi po mbështetet edhe nga qeveria gjermane.

“Jemi në përfundim të sigurimit në bujqësi. Do të jetë një nga instrumentet që do të vendosim brenda këtij viti. Jemi në fazën përfundimtare për ta depozituar në qeveri për miratim. Kemi marrë modelin turk, po asistohemi nga qeveria gjermane për ta përmbyllur gjithë procesin. Shteti shqiptar do të mbulojë një pjesë të madhe të buxhetit për sigurimin në bujqësi dhe do të jetë një nga instrumentet që do ta paraqesim vitin tjetër”, tha Salla.

Vazhdo të lexosh

Reklamë

Lini një koment

Me respekt — komentet moderohen nga redaksia.
Nuk publikohet kurrë.