Komuniteti brazilian i futbollit është tronditur nga vrasja e babait të sulmuesit të Santos, Ronielson Da Silva Barbosa, i njohur si Roni. 72-vjeçari u vra me thikë në qytetin Terra Alta nga një grua 48-vjeçare, e cila u arrestua menjëherë nga policia. Efektivët ndodheshin pranë vendngjarjes dhe ndërhynë pasi dëgjuan britmat.
Sipas mediave braziliane, gruaja e ka pranuar autorësinë e krimit dhe ka deklaruar se nuk ishte penduar për atë që kishte bërë. Gjatë marrjes në pyetje, ajo pretendoi se rreth një javë para ngjarjes kishte pasur një marrëdhënie seksuale me pagesë me babanë e futbollistit, Marizerson, por ky i fundit nuk i kishte dhënë shumën për të cilën kishin rënë dakord.
Një dëshmitar okular ka treguar se 72-vjeçari ishte kthyer me shpinë kur gruaja e sulmoi, duke e goditur me thikë. Atij iu dha ndihma e parë në vendngjarje, por humbi jetën për shkak të humbjes së madhe të gjakut, përpara se të transportohej në spital.
Pas lajmit tragjik, klubi i Santos i dha Ronit leje të pacaktuar për t’u larguar nga skuadra dhe për të qëndruar pranë familjes. Ndërkohë, Neymar bëri një gjest solidariteti, duke i vënë në dispozicion avionin e tij privat, në mënyrë që futbollisti të udhëtonte drejt vendlindjes së tij, Magalhães Barata, në shtetin Pará të Brazilit verilindor.
Prindërit e sulmuesit ishin divorcuar kur ai ishte ende fëmijë dhe Roni u rrit pa praninë e të atit. Marrëdhënia mes tyre u afrua rreth një dekadë më parë, kur futbollisti nisi karrierën e tij profesioniste.
Që prej asaj kohe, të dy mbanin kontakte të rregullta dhe Roni e vizitonte të atin gjatë pushimeve dhe ditëve të lira në shtetin Pará. Ngjarja ka shkaktuar tronditje në ambientin e futbollit brazilian, ndërsa futbollisti po kalon një moment të vështirë pas humbjes tragjike të babait të tij.

