Banorët e kompleksit “Mangalem 21”, në zonën e Ali Demit, denoncojnë një situatë shqetësuese që po ndodh mes pallateve me numra 30, 28, 25, 26 dhe 27, ku lulishteja e brendshme e kompleksit po zaptohet dhe po shkatërrohet për t'u kthyer në një ambient biznesi (lokal).
Bëhet fjalë për një hapësirë të gjelbër që, sipas banorëve, u është shitur fillimisht si lulishte e përbashkët, e dedikuar për fëmijët dhe familjet e kompleksit. Ndërkohë, në katin nëntokësor ndodhen edhe parkime private të shitura, çka e bën edhe më të rëndësishme ruajtjen e funksionit të hapësirës së përbashkët.
Banorët ngrenë shqetësimin se ndërhyrja po kryhet pa transparencë dhe paqartësisht edhe për sa i përket lejeve përkatëse të ndërtimit. Sipas tyre, punimet po realizohen me makineritë e kompanisë Kontakt sh.p.k., administrator i së cilës është Fatmir Bektashi. Të njëjtat mjete, sipas banorëve, janë përdorur edhe më parë për punime në kompleksin fqinj “Kadiu”.
Një tjetër shqetësim lidhet me mungesën e plotë të reagimit nga administrimi i kompleksit, “Tirana Administrim”, i cili, sipas banorëve, nuk po u jep asnjë përgjigje dhe nuk po ndërhyn për të mbrojtur interesin e përbashkët.
Edhe pse policia është njoftuar disa herë dhe ka mbërritur në vendngjarje, banorët pretendojnë se nuk është marrë asnjë masë konkrete. Policia largohet, ndërsa punimet vijojnë pa ndërprerje. Ditën e sotme, sipas denoncimit, në ambientet e kompleksit është sjellë edhe një makineri për hedhjen e betonit, duke treguar se ndërhyrja po avancon.
Banorët kërkojnë ndërhyrje urgjente nga institucionet përgjegjëse dhe verifikim të menjëhershëm të ligjshmërisë së punimeve, lejeve përkatëse dhe i çdo dokumentacioni që autorizon ndryshimin e destinacionit të kësaj hapësire.
Prona e përbashkët, për mirëmbajtjen e së cilës banorët paguajnë çdo muaj, nuk mund të tjetërsohet apo të shndërrohet në biznes në kurriz të tyre.
Kërkesa e tyre është e qartë: lulishteja të rikthehet në gjendjen dhe funksionin e saj fillestar, ashtu siç u është prezantuar dhe shitur.
Nuk mund të lejohet që një hapësirë e dedikuar për fëmijët dhe komunitetin të zhduket pa transparencë dhe pa një reagim konkret nga institucionet.