Manchester United përgatitet të bëjë një ndryshim të rëndësishëm në pankinë. Rezultatet zhgënjyese dhe pozita në zonën e rënies nga kategoria kanë detyruar drejtuesit e klubit anglez të marrin vendimin për shkarkimin e Michael Carrick. “Djajtë e Kuq” renditen në vendin e tretë nga fundi, me vetëm 8 pikë dhe pa asnjë fitore në tetë javët e fundit.
Ndërkohë, emri i pasuesit është përcaktuar tashmë. Bëhet fjalë për Mauricio Pochettinon, aktualisht trajner i kombëtares së Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Sipas raportimeve të “The Athletic”, drejtuesit e United kanë nisur bisedimet me teknikun argjentinas, i cili ka fituar garën me Julian Nagelsmann dhe Eddie Howe.
Pochettino e sheh me interes rikthimin në Premier League, aty ku ka drejtuar më parë Southampton, Tottenham dhe Chelsea. Për të finalizuar marrëveshjen, Manchester United duhet të negociojë edhe me Federatën Amerikane të Futbollit, pasi largimi i trajnerit kërkon pagesën e një klauzole prej 10 milionë dollarësh.
Objektivi i klubit anglez është që argjentinasi të marrë drejtimin e skuadrës sa më shpejt, me synimin për të qenë në stol që në përballjen e madhe ndaj Liverpoolit, më 22 nëntor. Megjithatë, mbetet për t’u parë nëse Pochettino do të drejtojë fillimisht Shtetet e Bashkuara në dy ndeshjet ndaj Haitit, më 14 dhe 18 nëntor, të vlefshme për çerekfinalet e CONCACAF Nations League.
