Jobe Bellingham rrëfen emocionet e grumbullimit në kombëtare dhe faktin që është pranë vëllait të tij Jude

11 Nëntor 2026
11:52
Telesport
back button

Ribashkimi i vëllezërve në kuadër të ekipit kombëtar është bërë më në fund realitet. Jobe Bellingham ka mbërritur në kampin stërvitor të Anglisë së bashku me vëllain e tij, Jude, një moment në karrierën e tyre që është vërtet unik.

Mesfushori 21-vjeçar mori ftesën e tij të parë për t’iu bashkuar skuadrës së Thomas Tuchel, pas paraqitjeve mbresëlënëse me ekipin U21 të Anglisë dhe Borussia Dortmund, ku ka regjistruar tre asiste deri më tani këtë sezon.

Nëse ai zbret në fushë në ndeshjet e ardhshme të Nations League kundër Kroacisë dhe Spanjës, Jobe dhe Jude do të bëhen çifti i 22-të i vëllezërve që luajnë për Anglinë. “Nuk mund ta anashkaloj këtë fakt. Prania e Jude këtu e bën situatën fantastike për familjen tonë,” u shpreh Jobe Bellingham.

“Sinqerisht, është diçka vërtet e veçantë. Është një bonus i jashtëzakonshëm që i shtohet një përvoje tashmë të mrekullueshme. Të thirresh në kombëtaren e Anglisë është një ëndërr më vete dhe gjithmonë kam ndjerë krenari të madhe që kam pasur mundësinë ta përfaqësoj Anglinë në çdo grupmoshë,” shtoi Bellingham më i vogël.

“Të kesh mundësinë dhe shansin për të përfaqësuar Anglinë krah vëllait tim është vërtet e vështirë ta përshkruash me fjalë. Mendoj se vetëm fjala ‘emocion’ mund ta përshkruajë. Shpresoj që, nëse vjen ai moment, do të shihni shumë emocion nga të gjithë të përfshirët dhe sigurisht, nga familja ime“, shtoi Jobe.

“U ndjeva tejet i gëzuar dhe i emocionuar. Dhe pastaj, kur e mora në telefon më vonë, m’u duk diçka krejtësisht joreale,” tregoi mesfushori aktual i Borussia Dortmundit. “Nuk di vërtet si të reagosh në një moment të tillë, por thjesht ndihesh kaq i lumtur”.

“Nuk mund ta ndaloja buzëqeshjen. Ndihem vërtet, thellësisht krenar. Ishte diçka që e shpresoja dhe ndieja se, me kalimin e çdo jave, ndeshje pas ndeshjeje, po e bëja atë një mundësi gjithnjë e më reale. Pra, po, jam vërtet shumë i lumtur“, tha Jobe Bellingham.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit