Adhuruesit e Batman kanë mundësinë të bëhen pronarë të një prej mjeteve më ikonike të kinematografisë. Motori i famshëm Batpod, i përdorur në filmat “The Dark Knight” (2008) dhe “The Dark Knight Rises” (2012), do të dalë në ankand në Londër, me një vlerë të përllogaritur deri në 900 mijë paund, ose rreth 1.2 milionë dollarë.
Motori, i njohur gjithashtu me emrin “The Beast”, u përdor në filmat ku rolin e Batman e interpretoi aktori Christian Bale. Ai është pjesë e një ankandi të organizuar nga shtëpia e ankandeve Propstore, e specializuar në shitjen e objekteve të përdorura në prodhime kinematografike.
Sipas Stephen Lane, drejtues dhe themelues i Propstore, Batpod është projektuar nga vetë regjisori Christopher Nolan, në bashkëpunim me skenografin Nathan Crowley. Më pas, realizimi i tij iu besua Chris Korvold, fitues i çmimit Oscar për efektet vizuale.
“Është një objekt fantastik”, u shpreh Lane për CNN, duke theksuar se ndërtimi i motorit ishte një sfidë e vërtetë inxhinierike, pasi duhej të funksiononte realisht gjatë xhirimeve.
Batpod është i pajisur me një motor Honda 750 cc dhe goma gjigante me diametër 31 inç. Përmasat dhe vështirësia në drejtimin e tij e bënin përdorimin e motorit të komplikuar si për aktorët, ashtu edhe për dublantët profesionistë.
Lane tregoi se gjatë xhirimeve kishte pasur disa raste kur drejtuesit humbën kontrollin mbi motorin. Një prej incidenteve u filmua, kur Batpod doli nga kontrolli dhe përplasi një kamerë të vendosur në sheshxhirim.
Nga gjashtë Batpod-e të ndërtuara për filmat, ky është i vetmi që është nxjerrë zyrtarisht në shitje nga Warner Bros. Studios.
Ofertat online për motorin kanë nisur të enjten, ndërsa ankandi do të përfundojë më 4 dhjetor, gjatë një aktiviteti të drejtpërdrejtë në Londër.
Batpod nuk është i vetmi objekt i veçantë që do të dalë në shitje. Ankandi përfshin qindra relike të tjera nga filmat dhe serialet e njohura. Mes tyre janë dy kostume të plota të Batman: një i veshur nga Christian Bale në filmin “Batman Begins” (2005) dhe një tjetër i përdorur nga Val Kilmer në “Batman Forever” (1995).
Në ankand do të përfshihen gjithashtu kapelja dhe këmisha e përdorur nga dublanti Vic Armstrong në filmat “Indiana Jones and the Temple of Doom” (1984) dhe “Indiana Jones and the Last Crusade” (1989), si dhe shpata e personazhit Jon Snow, interpretuar nga Kit Harington, në serialin “Game of Thrones”. Mbi 100 objekte do të ekspozohen paraprakisht në hotelin Cumberland në Londër, nga 19 deri më 22 nëntor.