Dy të rinj janë arrestuar në Tiranë, pasi akuzohen se falsifikonin dhe shisnin dokumente të shteteve të Bashkimit Europian.
Operacioni policor i koduar “Imitimi” çoi në pranga Hajdar Bajrami dhe Bujar Meta, të dy 22 vjeç, të cilët dyshohet se kishin ngritur një aktivitet të paligjshëm për prodhimin dhe tregtimin e dokumenteve false.
Gjatë ndërhyrjes, policia sekuestroi një pasaportë dhe një leje drejtimi polake, si dhe një kartë identiteti dhe një leje drejtimi austriake, të gjitha të dyshuara të falsifikuara.
Gjithashtu, në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 1700 euro, që dyshohet se janë përfituar nga shitja e dokumenteve false, një automjet, një motomjet dhe dy telefona celularë.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme, ndërsa hetimet vijojnë për identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë përfshirë në këtë aktivitet kriminal.














