Wednesday / November 11 / 2026
Revista Monitor Logo
hamburger menu icon

mbyll

close icon
Ads
Lajmet Kryesore Nga Vendi

Përgjysmimi i pragut të TVSH për biznesin e vogël, 11 problematikat e propozimit të qeverisë

Share Share Icon

Nga Artur Papajani, konsulent fiskal

 

Duke filluar nga 1 janari i vitit 2027, përgjysmimi i pragut të TVSH-së nga 10 milionë lekë në 5 milionë lekë , pra një ulje e paneglizhueshme, do të shoqërohet me kosto të shtuara për bizneset e përfshira. Kosto do të ketë edhe vetë administrata tatimore.

Duke pasur në dorë vendimin e Këshillit të Ministrave, si dhe relacionin mbështetës të tij, mund  të bëhet një analizë e ftohtë e këtij qëndrimi të qeverisë, , përmbledhur në pikat e mëposhtme.

 

  1. Mungesa e një metodologjie për përcaktimin e pragut optimal.

Nuk argumentohet përse niveli 5 milionë lekë, është ekonomikisht më i përshtatshëm se 4, 6, 8 apo 10 milionë lekë.

Nuk është kjo rruga e duhur për përcaktimin e pragut.

Parimi themelor është vetëm ky :

Pragu optimal është ai nivel qarkullimi ku përfitimi fiskal neto nga regjistrimi i bizneseve të vogla në TVSH justifikon kostot shtesë që regjistrimi në TVSH shkakton.

Nuk paraqitet një analizë krahasuese e kostove dhe përfitimeve për secilin nivel.

 

  1. Paqëndrueshmëria e politikës fiskale.

Pragu ka pësuar ndryshime të konsiderueshme gjatë periudhës 1996–2027.

Pragu ka ndryshuar gjashtë herë, duke kaluar nga 2 milionë në 8 milionë, duke zbritur përsëri në 2 milionë dhe më pas duke u rritur në 10 milionë lekë.

Shqipëria nuk ka ndjekur një politikë të qëndrueshme të përcaktimit të pragut të TVSH-së. Grafiku paraqet amplitudë me rritje dhe ulje të konsiderueshme, përfshirë :

  • pesëfishimin e pragut në vitin 2021 dhe
  • përgjysmimin e propozuar për vitin 2027.

 

  1. Mungesa e analizës së rezultateve të reformave të mëparshme.

Nuk evidentohet nëse rritja e pragut në 10 milionë lekë, përmirësoi administrimin, uli kostot  e tij, apo ndikoi në informalitet.

Për ta justifikuar këtë ndryshim, qeveria nuk arriti të paraqesë një analizë të hollësishme ekonomike të numrit të bizneseve të prekura, të ardhurave shtesë të pritshme, të kostove të administrimit dhe të ndikimit te çmimet.

 

  1. Cenimi i parashikueshmërisë fiskale.

Bizneset organizojnë investimet, çmimet, kontabilitetin dhe marrëdhëniet tregtare mbi bazën e kuadrit tatimor ekzistues. Ndryshimet e forta dhe të shpeshta krijojnë pasiguri për planifikimin afatmesëm.

Luhatje nën një amplitudë të tillë sjellin papashikueshmëri si për biznesin edhe për administratën tatimore.

Rritja e menjëhershme në një prag të lartë, nxjerr nga skema një numër të konsiderueshëm biznesesh dhe deri në një farë nase sjell “ç’edukim” të tyre me rregullat strikte të mbajtjes së dokumentacionit, sikurse është ai për TVSH.

Ulja e menjëhershme në një prag relativisht të ulët sjell kosto shtesë të administrimit si për administratën tatimore edhe për tatimpaguesit.

 

  1. Pragu i regjistrimit në TVSH nuk përcaktohet nga informaliteti.

Përmendet lufta kundër informalitet si arsye edhe kur pragu ngrihet dhe kur ai ulet.

Një biznes jashtë regjimit të TVSH-së nuk është informal.

Ai është i regjistruar, ai lëshon dhe fiskalizon faturat, deklaron të ardhurat dhe paguan detyrimet tatimore.

Përkundrazi, ulja e pa studiuar e pragut mund të shtojë nxitjen për ndarjen artificiale të aktivitetit ndërmjet disa subjekteve, me qëllim që secili të mbetet nën prag.

Pragu i TVSH përcaktohet pavarësisht informalitetit .Ai bazohet kryesisht në një tregues ekonomik : Raportin Kosto/Përfitim.

Ku kosto është ajo që ka të bëjë me administrimin si të biznesit edhe të administratës, ndërsa përftimi është efekti neto në mbledhjen e të ardhurave nga TVSH.

 

6.Argumentimi i pambështetur në ligj mbi bizneset familjare.

Relacioni i Financave shkruan se në përcaktimin e kufirit  minimal të regjistrimit për TVSH-në prej 5  milion lekë, është mbajtur në konsideratë fakti se, ky kufi përjashton ato biznese që janë kryesisht biznese familjare dhe me të vetëpunësuar të vetëm.

Asnjë mbështetje nuk ka ky argument i tillë.

Në asnjë reference kombëtare dhe internacionale, nuk përjashtohet nga TVSH, një biznes familjar apo të vetëpunësuarit e vetëm.

Fusha e zbatimit të tatimit ka të bëjë me furnizimin e mallrave dhe të shërbimeve, si dhe importit të tyre, por jo me karakterin familjar apo organizimin e një biznesi.

 

7.Pretendimi i pajustifikuar për përputhshmëri të plotë me legjislacionin e BE-së.

Thuhet që përputhshmëria e këtij projektakti me Direktivën e Këshillit Evropian 2006/112/EC mbi sistemin e përbashkët të tatimit mbi vlerën e shtuar, e ndryshuar, është e plotë. Nuk është e plotë përputhshmëria me Direktivën 2006/112.

Neni 284 i Direktivës 2006/112/KE, i ndryshuar nga Direktiva (BE) 2020/285, parashikon një prag maksimal kombëtar prej 85.000 eurosh për skemën e ndërmarrjeve të vogla.

Ky është tavan, jo prag i detyrueshëm. Por nga viti 2025 Bashkimi Europian ka një tjetër qasje për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme.

Pragu maksimal i vendosur nga Shtetet Anëtare sipas të cilit ndërmarrjet e vogla mund të përjashtojnë nga TVSH-ja furnizimet e tyre të mallrave dhe shërbimeve sipas skemës së NVM-ve, është 85 000 euro (ose ekuivalenti në monedhën kombëtare).

Ky rekomandim është mbështetur në synimet, për të ulur në maksimum kostot e këtij grupi masiv biznesesh.

 

8.Mungesa e konsultimit publik.

Dokumenti kaloi në mungesën e konsultimit me bizneset, profesionistët, dhomat e tregtisë dhe grupet e interesit.

Shembulli i kundërt është ai i Francës.

Nga 1 Janari 2025, qeveria vendosi të zbatonte pragun 25 000 euro, nga 85 000 euro më parë.

Një konsultim masiv publik u krye përgjatë disa muajve. U përfshinë, grupe interesi, ekspertë, profesionistë, politikanë e parlamentarë. Përfundimi ishte që, qeveria e tërhoqi vendimin bazuar në argumentet e palëve të përfshira në konsultim.

 

  1. Vlerësimi financiar.

Vlerësimi financiar është bërë vetëm për synimin që të sjellë efekt pozitiv, në rreth 4.5 miliardë lekë, në të ardhurat buxhetore nga TVSH.

Por në fakt duhet të vlerësohen tre elemente, jo vetëm një. Dhe ato janë:

a)Të ardhurat shtesë neto nga TVSH-ja që arkëton shteti.

b)Kostoja administrative që përballon administrata tatimore për kontrollin dhe administrimin e subjekteve të reja.

  • Regjistrimi dhe administrimi i të dhënave
  • Shërbimi dhe asistenca e tatimpaguesve;
  • Përpunimi i deklaratave;
  • Verifikimet dhe kontrolli;
  • Mbledhja e detyrimit;
  • Ankimi;
  1. c) Kostoja e përmbushjes së detyrimeve tatimore nga bizneset e vogla, përfshirë kontabilitetin, deklarimet dhe faturimin.
  • Shërbime kontabiliteti shtesë;
  • Deklarime dhe rakordime;
  • Programe dhe sisteme;
  • Koha e personelit;
  • Rënie të marzhit shitjeve dhe të klientelës,

 

Efekti i pagesës së TVSH, mesatarisht shkon në 258 000 lekë / vit / biznes.

[ 4,5 miliard /17 200]

Por, për profesionet e lira mund të dyfishohet.

 

10.Mungesa e një dispozite kalimtare të qartë.

Nuk sqarohet shprehimisht trajtimi i bizneseve që në vitin 2026 kanë realizuar qarkullim ndërmjet 5 dhe 10 milionë lekëve.

Sipas ligjit të TVSH-së, personi, qarkullimi i të cilit gjatë muajve të njëpasnjëshëm tejkalon kufirin minimal të regjistrimit, është i detyruar të kërkojë regjistrimin në TVSH brenda 15 ditëve nga data e kalimit të këtij kufiri. Deri më 31.12.2026, kufiri minimal ka qenë 10 milionë lekë, ndërsa nga data 1 janar 2027, kufiri minimal është 5 milionë lekë.

Nuk rezulton të ketë një dispozitë kalimtare që të kërkojë shprehimisht regjistrimin, më 1 janar 2027, të personave që kanë realizuar një qarkullim mbi 5 milionë lekë gjatë vitit 2026.

Kjo krijon rrezik për interpretime të ndryshme nga administrata dhe tatimpaguesit.

 

11.Përfundimi

Problemi themelor nuk është vetëm përgjysmimi i pragut të TVSH-së nga 10 në 5 milionë lekë. Problemi është mungesa e një argumentimi të plotë, se përfitimi fiskal dhe ekonomik i kësaj mase është më i madh se kostoja që u shkakton bizneseve dhe administratës tatimore.

Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Ekskluzive Monitor Top 1,000

Publikohen për herë të parë treguesit financiarë të 1000 kompanive më të mëdha në vend. Renditja e grupeve kryesore!

Eksploro Top List
Live Now

Lajme të Ngjashme

Tirana, e vështirë për familjet e reja, lindjet në rënie me dyfishin e mesatares kombëtare

Teksa kryeqyteti vijon të tërheqë popullsi nga qarqet e tjera të vendit, numri i lindjeve po bie me ritme të shpejta, gati dy herë më shumë se mesa...

6 hours më parë 5 Min Lexim

Nis eksperimentimi për të ofruar shërbime celulare direkt nga satelitët

Njëri nga operatorët celularë në vend mori në fund të tetorit autorizimin për përdorimin eksperimental të një sasie shtesë spektri të radio-frekuen...

6 hours më parë 3 Min Lexim
Ads
collaps icon

Rrisni limitin e artikujve në 400 në muaj FALAS! Regjistrohu Falas!

Rrisni limitin e artikujve në 400 në muaj FALAS!

Si përdorues i paregjistruar, mund të lexoni vetëm 200 artikuj në muaj. Mund ta rrisni këtë limit duke krijuar një llogari FALAS në faqen tonë.

Regjistrohu FALAS!