E mërkurë, 11 nëntor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK PUBLIK
Ishin shpallur në kërkim, arrestohen dy persona në Rinas
Lajme

Ishin shpallur në kërkim, arrestohen dy persona në Rinas

Dy persona të shpallur në kërkim janë arrestuar nga Policia Kufitare në Aeroportin Ndërkombëtar të Rinasit, gjatë kontrolleve të ushtruara në hyrje të territorit shqiptar. Njëri prej tyre kërkohej ndërkombëtarisht nga autoritetet turke për mashtrim në ushtrimin e veprimtarisë tregtare, ndërsa tjetri ishte dënuar në Shqipëri me 3 vite e 4 muaj burg për vjedhje me dhunë.

I arrestuari i parë është shtetasi turk Enes Uguz, 31 vjeç, ndaj të cilit ishte lëshuar një urdhër arresti ndërkombëtar nga autoritetet gjyqësore të Turqisë. Ai ishte shpallur në kërkim nga Interpol Ankara, me qëllim ekstradimin drejt vendit të origjinës.

Sipas të dhënave të Policisë, Gjykata Penale e Shkallës së Parë nr. 2 në Gebze kishte lëshuar urdhrin e arrestit më 31 korrik 2026, për veprën penale të mashtrimit të kryer gjatë ushtrimit të aktivitetit tregtar.

Pas ndalimit në Rinas, Interpol Tirana ka nisur procedurat përkatëse në bashkëpunim me autoritetet turke, me qëllim ekstradimin e 31-vjeçarit drejt Turqisë.

Kapet edhe 27-vjeçari i dënuar për vjedhje me dhunë

Në të njëjtin operacion kontrollesh është arrestuar edhe shtetasi Edison Vukaj, 27 vjeç, i cili ishte shpallur në kërkim nga autoritetet shqiptare.

Ai rezultonte i dënuar me 3 vite e 4 muaj burgim nga Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, me vendim të datës 3 qershor 2025, për veprën penale “Vjedhja me dhunë”, të kryer në bashkëpunim.

Të dy personat u identifikuan dhe u vunë në pranga gjatë verifikimeve të dokumentacionit dhe kontrolleve të kryera nga shërbimet e Policisë Kufitare, në bashkëpunim me Interpol Tiranën.

Materialet procedurale për të dyja rastet i janë përcjellë autoriteteve kompetente për vijimin e veprimeve ligjore.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.