Deputetja e PS, Sara Mila u paraqit në Prokurorinë e Posaçme këtë të mërkurë. Teksa dilte nga ambientet e SPAK, ajo nuk pranoi të fliste mbi arsyet e thirrjes, por shtoi se sa herë të thirret nga ky organ, do të paraqitet. Ajo tha se u paraqit si person që ka dijeni.
“Ky kalvar i gjatë i hedhjes së baltës së politikës së vjetër do të përfundojë. Edhe në respekt të besimit të të gjithë qytetarëve të Elbasanit, do të jem këtu sa herë të jetë e nevojshme. Faleminderit, se po më presin qytetarët në Elbasan për festën e Çlirimit”, tha ajo para SPAK.
Mësohet se deputetja e Qarkut të Elbasanit është marrë e pandehur me dyshimin për korrupsion në zgjedhje.
View this post on Instagram
View this post on Instagram
Akuzat
Konkretisht, në periudhën nëntor-dhjetor 2024, pra kur fushata elektorale për zgjedhjet e përgjithshme ishte në hapat e para, në Njësinë Administrative Gjocaj ishin trefishuar familjet që përfitonin ndihmë ekonomike.
Sipas Prokurorisë së Elbasanit “nga 110 familje, gjatë kësaj periudhe, numri i përfituesve arriti në 320”.
SPAK ka hetuar se janë bërë favorizime dhe dhënie e ndihmës ekonomike për persona të caktuar, me qëllim që ata të votonin për Partinë Socialiste.
Kujtojmë që kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha e ka akuzuar vazhdimisht deputeten socialiste të qarkut të Elbasanit se e ka siguruar mandatin përmes mbështetjes nga krimi i organizuar. Kreu i PD ka denoncuar emrin e Suel Çelës se ishte pikërisht ai në prapaskenë, potenciali elektoral i Sara Mila, e cila në zgjedhjet parlamentare të 2025 mori rreth 20 mijë vota.






