Bordi i KOK-ut konstaton: Prishtina 2030 në rrezik
Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK) ka diskutuar për situatën e Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030 në mbledhjen e 17-të të Bordit Ekzekutiv, ku është konfirmuar se ende ekziston rreziku i humbjes së organizimit të kësaj ngjarjeje të madhe sportive.
Sipas njoftimit të KOK-ut, gjatë mbledhjes, të udhëhequr nga presidenti Ismet Krasniqi, është diskutuar për takimin e fundit të Komitetit Organizativ (OCMG), si dhe për letrat e pranuara nga Komiteti Ndërkombëtar i Lojërave Mesdhetare (ICMG).
Bordi Ekzekutiv është njoftuar se në javët në vijim pritet të mbahet një takim në Athinë me përfaqësuesit e ICMG-së.
Në këtë takim, OCMG-ja pritet të përfaqësohet nga dy përfaqësues të Qeverisë së Kosovës, dy të Komunës së Prishtinës dhe dy të KOK-ut.
Në mbledhje është propozuar edhe krijimi i një programi për përgatitjen e federatave sportive për Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030, nismë kjo që buron nga Ligji për Lojërat Mesdhetare. /Telegrafi/


































