Aksident i fortë në rrugën e Arbrit, përplasen kokë më kokë dy automjete, disa persona të lënduar
Një aksident rrugor është regjistruar paraditen e kësaj të mërkure në fshatin Fshat, në Bashkinë Klos, në segmentin rrugor që lidh Matin me Rrugën e Arbrit.
Dy automjete, një tip “Benz” dhe një “Sharan”, janë përplasur kokë më kokë, vetëm pak metra larg rrethrrotullimit të Rrugës së Arbrit.
Përplasja ka qenë e fortë, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale. Si pasojë, disa persona kanë mbetur të lënduar, por fatmirësisht ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Në vendngjarje ka mbërritur policia, e cila po punon për zbardhjen e rrethanave të aksidentit. Paraprakisht, dyshohet se shkak i përplasjes është bërë lagështia në rrugë.
Ky segment rrugor po kthehet në një pikë problematike për drejtuesit e mjeteve. Vetëm gjatë një jave janë regjistruar të paktën gjashtë aksidente, fatmirësisht pa humbje jete.
Problematika është ngritur edhe më herët nga ekspertët, të cilët e lidhin numrin e lartë të aksidenteve me sipërfaqen e rrëshqitshme të asfaltit, veçanërisht gjatë reshjeve të shiut, kur rreziku për humbjen e kontrollit të automjeteve rritet ndjeshëm.
/vizionplus.tv




