Artisti shqiptar Leander Veizi është ndarë nga jeta në moshën 37-vjeçare, duke lënë pas një karrierë të rëndësishme në botën e baletit dhe kërcimit bashkëkohor në disa skena evropiane.
Lajmi për ndarjen e tij nga jeta u bë publik më 10 nëntor 2026 nga Teatri Shtetëror i Regensburgut në Gjermani, ku Veizi ushtronte aktivitetin e tij artistik dhe mbante detyrën e drejtuesit artistik dhe koreografit të kompanisë së kërcimit.
Veizi kishte ndërtuar një karrierë ndërkombëtare, duke bashkëpunuar me trupa dhe institucione të njohura të baletit në Evropë. Ai kishte studiuar në Akademinë Kombëtare të Baletit në Tiranë dhe më pas kishte vijuar formimin profesional në Itali, në Scuola del Balletto di Toscana.
Në vitin 2011 iu bashkua trupës Gauthier Dance në Stuttgart, ndërsa më vonë punoi edhe me kompani të tjera artistike, përfshirë Ballett Vorpommern dhe TanzTheater Münster.
Që nga sezoni 2022-2023, Leander Veizi ishte pjesë e Teatrit Shtetëror të Regensburgut. Në mars të vitit 2026 ai mori drejtimin artistik dhe detyrën e koreografit të kompanisë së kërcimit, duke shënuar një tjetër arritje në karrierën e tij.
Sa i përket rrethanave të vdekjes, sipas raportimeve të mediave gjermane, artisti u gjet pa shenja jete në apartamentin e tij. Autoritetet nuk kanë konstatuar shenja dhune apo indicie për përfshirjen e një personi tjetër.















