Deputetja e Partisë Socialiste, Sara Mila, ka lënë ambientet e Prokurorisë së Posaçme (SPAK), pas rreth 40 minutash qëndrimi, ku ishte thirrur për të dhënë dëshminë e saj në cilësinë e personit në dijeni.
Pas daljes, Mila ka dhënë një prononcim të shkurtër për mediat, ku konfirmoi se kishte dëshmuar, ndërsa nuk dha detaje mbi çështjen, duke iu referuar sekretit hetimor. Ajo e cilësoi paraqitjen në SPAK edhe si një përgjegjësi publike e politike, ndërsa u ndal te akuzat dhe kritikat e drejtuara ndaj saj, të cilat i konsideroi si pjesë të sulmeve të politikës së vjetër.
“Sa i përket pranisë time këtu dua që t’ju theksoj se në organet e drejtësisë nuk vihet vetëm për ato që ju i keni me shumë qejf t t’i deklaroni, po në fakt vihet edhe për një përgjegjësi, publike një përgjegjësi politike. Shumë baltë është hedhur mbi mua nga aparatet e politikës së vjetër.
Kështu që pa diskutim ky është edhe një moment shumë i mirë për të treguar dinjitetin tim. Ka një ka një sekret hetimor, jam person në dijeni, kam dhënë dëshminë time dhe kam përshtypjen që ky kalvar i gjatë i hedhjes së baltës të politikës së vjetër do të përfundojë”, tha ajo përpara gazetarëve.
Deputetja theksoi se do të jetë e gatshme të bashkëpunojë me organet e drejtësisë sa herë të kërkohet dëshmia e saj, duke nënvizuar se beson te ligji mbi çdo gjë tjetër.
“Sa herë SPAK dhe organet e drejtësisë të kenë nevojë për dëshminë time për fjalën time edhe në respekt besimit të gjithë qytetarëve të Elbasanit do të jem këtu sa herë që të jetë e nevojshme si një person që beson mbi ligjin mbi çdo gjë tjetër”, tha Mila.
