Ish-ministri i Ekonomisë në Serbi, Rade Basta, është vënë në pranga këtë të mërkurë, në kuadër të një hetimi për shpërdorim të dyshuar të fondeve publike, që dyshohet se i ka shkaktuar një dëm prej dhjetëra miliona dinarësh ndërmarrjes shtetërore “Beogradske Elektrane”.
Arrestimi është kryer me urdhër të Prokurorisë së Lartë Publike në Beograd, ndërsa në operacion janë angazhuar efektivët e strukturave të specializuara për luftën kundër korrupsionit.
Sipas raportimeve të mediave serbe, dyshimet ndaj ish-zyrtarit lidhen me periudhën kur ai drejtonte ndërmarrjen përgjegjëse për furnizimin me ngrohje qendrore të kryeqytetit serb.
Në qendër të hetimeve janë disa transaksione financiare, përmes të cilave dyshohet se janë shpërndarë fonde në formën e donacioneve për organizata dhe shoqata sportive, pa justifikimin e nevojshëm ligjor dhe financiar.
Mes përfituesve të këtyre fondeve raportohet se kanë qenë klube futbolli, basketbolli, si dhe një klub i sportit të kalërimit.
Ndërkohë, operacioni i autoriteteve serbe nuk është kufizuar vetëm te arrestimi i Bastës. Sipas televizionit publik serb RTS, hetuesit po kryejnë kontrolle në disa ambiente, ndërsa raportohet se edhe persona të tjerë po shoqërohen për t’u marrë në pyetje lidhur me çështjen.
Prokuroria po përpiqet të zbardhë mekanizmin e miratimit të donacioneve, destinacionin përfundimtar të parave dhe përgjegjësitë e mundshme të zyrtarëve që kanë marrë pjesë në administrimin e tyre.
Rade Basta është një figurë e njohur e politikës serbe. Ai drejtoi Ministrinë e Ekonomisë nga tetori i vitit 2022 deri në vitin 2023, kur u largua nga qeveria pas përplasjeve politike të shkaktuara nga qëndrimet e tij mbi marrëdhëniet e Serbisë me Rusinë.
Basta kishte kërkuar publikisht që Beogradi të rishikonte qëndrimin e tij ndaj sanksioneve kundër Moskës, të vendosura pas nisjes së pushtimit rus të Ukrainës.
Në atë kohë, ai ishte pjesë e qeverisë si përfaqësues i partisë “Serbia e Bashkuar”, ndërsa pas shkarkimit ndërmori një nismë të re politike, duke themeluar lëvizjen “Rruga Evropiane”.
Hetimet për abuzimet e dyshuara financiare vazhdojnë, ndërsa autoritetet serbe pritet të sqarojnë përmasat e dëmit ekonomik dhe rolin e secilit prej personave të përfshirë në këtë procedim.
Deri në një vendim përfundimtar të drejtësisë, Rade Basta prezumohet i pafajshëm.
