Taksistët ngrihen në protestë në Tiranë, kërkojnë uljen e çmimit të karburantit dhe kufizimin e licencave Kërkesa e Kontrollit të Lartë të Shtetit për më shumë fonde dhe 10 punonjës shtesë për vitin 2027 është shoqëruar me debate në Komisionin “Xhafaj”.
Deputeti socialist, Ermal Elezi vuri në pikëpyetje nevojën për zgjerimin e organikës, duke theksuar se pagat në KLSH janë rritur me rreth 90% nga viti 2021 deri në vitin 2025, pa u paraqitur tregues që të dëshmojnë një përmirësim të ngjashëm të mbulimit dhe cilësisë së auditimeve.
Nga ana tjetër, përfaqësuesit e KLSH-së argumentuan se fondet shtesë dhe forcimi i burimeve njerëzore janë të nevojshme për përmbushjen e detyrimeve institucionale dhe kërkesave që lidhen me integrimin europian.
Pjesë nga debati:
Ermira Hoxha, drejtoreshë e Burimeve Njerëzore, KLSH: Kërkesat buxhetore për vitin 2027, në vlerën 894,4 milionë lekë, janë orientuar në 3 zëra: paga dhe sigurime shoqërore në vlerën 711,5 milionë lekë, mallra dhe shërbime 100,9 milionë lekë, shpenzime kapitale me financim të brendshëm 82 milionë lekë.
Tavani buxhetor për vitin 2027, prej 735,5 milionë lekësh, është 15% më pak nga kërkesat që ka paraqitur KLSH-ja.
Për kërkesën për paga dhe sigurime shoqërore, parashikimet janë bërë për stafin e KLSH-së dhe kontraktimin e ekspertëve të jashtëm. Janë marrë parasysh kërkesat për rritjen e auditimeve. KLSH-ja ka përgjegjësi edhe për rekomandimet e dhëna dhe cilësinë e auditimeve, procese që kërkojnë një angazhim të vazhdueshëm të burimeve njerëzore.
Në kërkesën për rritjen e numrit të punonjësve është marrë në konsideratë edhe përmbushja e detyrimeve në kuadër të integrimit europian, i cili kërkon forcimin e kontrollit të jashtëm publik, rritjen e transparencës dhe përgjegjshmërisë në administrimin e fondeve publike dhe përafrimin e veprimtarisë audituese me kërkesat dhe praktikat europiane.
Faktor tjetër që është analizuar janë edhe rekomandimet e rezolutës së Kuvendit të Shqipërisë për vlerësimin e veprimtarisë së KLSH-së për vitin 2025.
Në këtë rezolutë përcaktohet kërkesa për auditime të vazhdueshme.
Në mënyrë të veçantë, në rezolutë theksohet rëndësia e auditimeve të teknologjisë së informacionit, sigurisë kibernetike, kontratave koncesionare dhe partneriteteve publike-private.
Bazuar në sa u tha më sipër, është paraqitur kërkesa për buxhetin e vitit 2027 për 253 punonjës, ose 10 punonjës më shumë nga organika e vitit 2026.
Relatori Ermal Elezi: Investimet janë realizuar vetëm në masën 18%. Meqë thuhet se do të realizohen 100%, flitet për procese që janë në procedim, pasi nuk mund të realizohen në periudhën e mbetur të vitit.
Kërkesa për shtim punonjësish: na duhet një plotësim i raportit të progresit. Thuhet që institucioni ka 215 punonjës nga 243, pra rezulton që mungojnë 18 punonjës.
Kjo ka të bëjë me ambientet apo i keni në parashikim për t’i realizuar? Pa plotësuar strukturën, nuk mendoj që shtesa me 10 punonjës gjen vend për pranimin e kërkesës, për sa kohë ka ende vakanca.
Pagat e KLSH-së janë rritur ndjeshëm vitet e fundit dhe, përpara se të kalojmë në kërkesa shtesë, duhet të na provoni që angazhimi dhe cilësia e punës janë maksimale dhe pastaj të shohim nëse ajo që kërkoni ka të bëjë me ngarkesën dhe cilësinë.
Që nga viti 2021 deri në vitin 2025 janë rritur rreth 90% pagat dhe dokumenti juaj nuk sjell ndonjë tregues që mbulimi me auditime dhe cilësia të kenë sjellë po të njëjtën rritje.
Për buxhetin, në përputhje me detyrat e rezolutës, ka disa rekomandime që kërkojnë fonde dhe këtë duhet ta lidh edhe me planifikimin buxhetor afatmesëm, sepse ka një trend ku kemi një rënie të buxhetit. Nuk ka pse të ndodhë, edhe pse mund të ketë investime që kryhen.
Për sa kohë pavarësia ligjore e KLSH-së vlerësohet, kjo duhet të përputhet edhe me pavarësinë financiare kur e ka të nevojshme. Nëse investimet realizohen në kohë, sidomos për sistemet, nevojat për të audituar një pjesë të sistemeve IT dhe pjesa që ka të bëjë me pasqyrimin në platformën online të Kuvendit të rekomandimeve, që është një kërkesë e jona e vazhdueshme, jemi të prirur të kuptojmë nëse ky buxhet adreson këto çështje të rezolutës.
Sa nga vakancat janë në pozicione audituese dhe 10 punonjësit që kërkoni, si lidhen drejtpërdrejt me rezolutën? Për çfarë pozicionesh konkrete bëhet fjalë, me buxhetin 711,5 milionë lekë?
Tavani buxhetor është 9% më pak se kërkesa jonë.
Struktura e KLSH-së për vitin 2026 është e plotësuar për organikën.
Tavani buxhetor për vitin 2027 për këtë zë nuk është i mjaftueshëm, edhe nëse organika nuk do të ndryshonte.
KLSH: Ju keni marrë për të dhëna nga raporti i progresit që janë më të hershme. Deri në përfundim të vitit do të jetë e plotë struktura e KLSH-së.
Investimet janë në proces. Deri në fund të vitit do t’i mbyllim 100%.
Përfaqësuesja e Ministria e Financave, Vilma Çausholli: Buxheti për KLSH-në ka ardhur në rritje. Në vitin 2027 konstatohet një ulje në total prej 10 milionë lekësh dhe kjo është në zërin e investimeve.
Kemi një problematikë teknike për fondin e pagave, pasi institucioni i KLSH-së ka në kompetencë të tij miratimin e organikës, niveleve të pagave dhe shtesave mbi pagë.
Konstatojmë që vazhdimisht i jepet prioritet plotësimit të shpenzimeve të personelit, sepse rritja në këto shpenzime është e ndjeshme.
Numri i punonjësve në raport me fondin e pagave është trefish i nevojës që paraqet KLSH-ja për numrin e punonjësve. Pra, rezulton sikur një punonjës ka një pagë mesatare mbi 2,5 milionë lekë. Nga institucioni i jepet prioritet këtij zëri, ndërkohë që ekspertët e jashtëm ose ekspertiza të tjera që mund të paguhen në këtë zë, ne i plotësojmë në shpenzimet operative, jo në shpenzimet e personelit.
Ka disa pasaktësi dhe mund të sistemohen.
Shpenzimet për paga dhe sigurime shoqërore kanë kaluar në rritje nga viti 2027 në vitin 2029. Sigurisht që parashikohen ato politika që do të ndërmerren. Në vitin 2028 mund të kemi sërish indeksimin, por janë fonde të veçanta.
Për kërkesat shtesë që lidhen me numrin e personelit në organikë…
Relatori Ermal Elezi: Për pagat duhet bërë një rakordim me Ministrinë e Financave dhe duhet të jenë të harmonizuara me strukturat e tjera të pavarura. Në vijimësi, gjatë vitit, të shohim rritjen e kapaciteteve pasi të bëni këtë analizë.
Top Channel