Ministri i Brendshëm Ervin Demo zhvilloi një takim me banorë, sipërmarrës dhe përfitues të Paketës së Maleve në Gjinar të Elbasanit, ku në fokus ishte mbështetja për investimet në vendlindje, lehtësimi i procedurave dhe krijimi i vendeve të reja të punës.

Gjatë bashkëbisedimit, ku ishte i pranishëm edhe Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledjan Llatja, Zv.kryetarja e Kuvendit, Evis Kushi e deputeti Arbjan Mazniku, ministri u njoh me projektet e banorëve për ndërtimin dhe zgjerimin e bujtinave e bizneseve familjare, si dhe me vështirësitë që hasin për shkak të problematikave të pronësisë, procedurave administrative dhe infrastrukturës.

Demo theksoi se Paketa e Maleve synon t'u krijojë mundësi konkrete njerëzve që duan të investojnë punën dhe kursimet e tyre aty ku kanë rrënjët, duke nxitur zhvillimin e ekonomisë lokale dhe hapjen e vendeve të reja të punës.

“Paketa e Maleve është krijuar si një nismë që është e fokusuar pikërisht te banorët e zonave si ju, të cilët kanë të gjitha ato problematika, kalvare të gjata me histori pronësie dhe për shkak të këtyre vështirësive, e kanë të pamundur të investojnë aty ku kanë rrënjët e tyre.”- u shpreh ministri.

Demo solli si shembull zhvillimin e Gjinarit, i cili nga vetëm 3 bujtina rreth dhjetë vite më parë, sot numëron rreth 30 struktura akomoduese, duke dëshmuar mundësitë që turizmi malor krijon për sipërmarrjen dhe punësimin vendas.

“Paketa e Maleve në thelb është një incentivë për të krijuar zhvillim ekonomik lokal, që ne t'u japim më shumë mundësi banorëve të zonës, të krijojnë ekonomi lokale, të kenë arsye të rrinë aty ku janë dhe, mbi të gjitha, të krijojnë një zinxhir ekonomik, i cili lidh më pas edhe gjithë bashkinë”,- tha ai.

Një nga angazhimet kryesore të ministrit ishte zgjerimi i zonave prioritare në Gjinar brenda muajit nëntor, mbi bazën e propozimit të Bashkisë Elbasan. Ky vendim do t'u hapë rrugën edhe banorëve të tjerë që aktualisht nuk përfshihen në zonat e miratuara, për të nisur procedurat e aplikimit.

“Ju premtoj që brenda muajit nëntor, VKM-ja do të kalojë, në mënyrë që të hapet rruga më pas, që edhe banorët e tjerë, të cilët duan të aplikojnë, por nuk kanë qenë të përfshirë te zonat prioritare që tashmë janë miratuar, të vazhdojnë aplikimin në Këshillin Bashkiak”- u shpreh Demo.

Aktualisht, në nivel kombëtar janë miratuar rreth 400 zona prioritare në 52 bashki, ndërsa vetëm në Gjinar numërohen 21 aplikantë për Paketën e Maleve.

Një tjetër çështje e diskutuar ishte përshpejtimi i procedurave pas miratimit të aplikimeve. Demo bëri të ditur se pranë Agjencisë së Zhvillimit të Territorit është krijuar një mekanizëm i posaçëm për trajtimin me përparësi të projekteve të Paketës së Maleve, me synim që investimet të kalojnë sa më shpejt nga dokumentacioni në realizim.

“Ne kemi ndërtuar tashmë në AZHT një ‘korsi shpejtësie’ për projektet që kanë të bëjnë me Paketën e Maleve. Sot që flasim, në AZHT kanë filluar të miratohen projektet e para dhe fillon ndërtimi në zona të caktuara, nga veriu në jug”, - sqaroi ministri.

Ministri prezantoi gjithashtu mundësitë e financimit përmes programit “Dyfisho Ndërmarrjen Tënde”, duke i inkurajuar sipërmarrësit që kanë biznese ekzistuese dhe synojnë zgjerimin e tyre të aplikojnë për mbështetje financiare. Sipas ministrit, programi ofron kredi me norma interesi 2–3% dhe mekanizma garancie shtetërore për kolateralin, sipas kushteve të financimit.

“Për ata që e kanë një bujtinë ekzistuese sot, por nëpërmjet Paketës së Maleve duan të zgjerohen, shikoni edhe mundësinë e ‘Dyfisho Ndërmarrjen Tënde’, sepse mund të aplikoni atje edhe për financim. Është një mundësi shumë e mirë, me norma interesi shumë të ulëta, 2-3%, që nuk i gjeni në bankat e nivelit të dytë”,- tha ai.

Në përfundim, Demo theksoi se institucionet do të vijojnë koordinimin me Bashkinë Elbasan dhe AZHT-në për ndjekjen e kërkesave të banorëve dhe lehtësimin e procedurave që pengojnë realizimin e investimeve.

Synimi është që projektet e Paketës së Maleve të kthehen në biznese funksionale, vende të reja pune dhe më shumë mundësi për familjet, duke u dhënë njerëzve arsye konkrete për të jetuar, punuar dhe investuar në vendlindjen e tyre.