Policia e Shtetit ka dhënë informacione mbi arrestimin në Greqi disa ditë më parë të shtetasit Zef Preldakaj alias Fran Preldakaj, 44 vjeç, i cili në Greqi përdorte identitetin Nikolin Pali dhe kishte ndryshuar edhe datëlindjen.
Sipas Policisë së Shtetit, 44-vjeçari ishte dënuar në Shqipëri me 22 vite burgim për përfshirjen në vrasjen e dy vëllezërve në Shkodër, ndërsa akuzohet nga autoritetet greke edhe për vrasjen e dy personave në Korinth, në vitin 2020.
Ngjarja për të cilën është dënuar në Shqipëri ka ndodhur në vitin 2002, në fshatin Shtoj i Vjetër, ku tre persona shkuan në subjektin e dy vëllezërve me qëllim grabitjen e xhiros ditore.
Gjatë tentativës për të marrë armën e njërit prej autorëve, njëri prej bashkëpunëtorëve hapi zjarr ndaj dy vëllezërve, të cilët humbën jetën në vendngjarje.
Sipas hetimeve, Preldakaj kishte qëndruar te dera e subjektit për të mbuluar dhe siguruar veprimet e personave të tjerë të përfshirë në grabitje, për t’u larguar më pas së bashku me ta.
Ndërkohë, në vitin 2020, autoritetet greke e akuzuan për vrasjen e një shtetasi grek dhe një shtetaseje ukrainase në Korinth, trupat e të cilëve u gjetën brenda një automjeti.
Gjithashtu, sipas policisë, 44-vjeçari rezulton me precedentë penalë në Greqi për grabitje me armë, shkelje të legjislacionit për armët dhe lojërat e fatit, si dhe posedim të lëndëve narkotike.
Autoritetet shqiptare dhe ato greke po punojne me qellimin ekstradimin e tij ne vendin tonë.













