Shfaqen tensionet te kombëtarja e Francës në prag të ndeshjes me Italinë në San Siro të vlefshme për Nations League. Dyshja e përbërë nga trajneri i ri Zinedine Zidane dhe kapiteni i tij Kylian Mbappé, e cila në fillim pritej të garantonte stabilitet dhe vazhdimësi, në fakt, po kalon një periudhë delikate.

Një situatë e ndërlikuar, ku ndërthuren pakënaqësitë taktike, përplasjet brenda dhomës së zhveshjes dhe pikëpyetjet mbi gjendjen fizike të yllit të Real Madridit.

Fraktura në raportet me Zidane

Marrëdhënia mes të dyve ende nuk ka marrë formën e dëshiruar, ndërsa harmonia që Mbappé kishte krijuar me Didier Deschamps është tashmë një kujtim i largët, pavarësisht se të dy jetojnë në Madrid. Sipas medias franceze, pakënaqësitë e para datojnë që nga grumbullimi i vjeshtës së kaluar, kur Zidane deklaroi publikisht në konferencë për shtyp se synonte ta aktivizonte Mbappé në krahun e majtë, duke e zhvendosur Ousmane Dembélé në qendër të sulmit. Një vendim për të cilin ylli francez mësoi drejtpërdrejt nga televizioni dhe që e priti me vështirësi, pavarësisht se shënoi golin vendimtar në Turqi (0-1), përpara se dëmtimi në gju ta detyronte të kthehej më herët në Madrid.

Gjatë grumbullimit të kombëtares franceze, komunikimi mes të dyve është reduktuar në minimum, edhe për shkak të një gjendjeje gripale që e ka detyruar sulmuesin të qëndrojë i izoluar në dhomën e tij në Clairefontaine. I vetëdijshëm se nuk mund t’i lejojë vetes një përçarje me figurën kryesore të kombëtares, golashënuesin më të mirë në historinë e Francës me 67 gola, Zidane është përpjekur të shuajë polemikat, duke njoftuar se Mbappé do të rikthehet në pozicionin e tij natyral, si sulmues i qendrës.

Përplasjet për Topin e Artë

Tensionet në dhomën e zhveshjes së Francës janë shtuar edhe nga përplasjet brenda grupit, të lidhura me garën për Topin e Artë 2025. Fushata agresive e vetëpromovimit e zhvilluar nga sulmuesi thuhet se ka tronditur ekuilibrat e krijuar prej vitesh në skuadër, ndërsa veçanërisht të tensionuara janë marrëdhëniet me Dembélénë. Mbappé e kishte cilësuar bashkëlojtarin si një «talent të pastër», ndërsa për veten kishte rezervuar epitetin «i zgjedhuri», duke e kurorëzuar kështu paraprakisht veten.Nuk kaloi pa u vënë re as mungesa e tij në tribunat e Stade de France gjatë ndeshjes së parë kundër Italisë (1-1). Ndërsa kombëtarja franceze ishte në fushë, Mbappé ndodhej në Paris për angazhime personale që lidheshin me çështjet ligjore të nënës së tij, Fayza.

Misteri rreth pranisë së tij në San Siro

Në këtë klimë pakënaqësie shtohen edhe pikëpyetjet rreth aktivizimit të Mbappés në San Siro. Në seancën e fundit stërvitore përpara nisjes drejt Milanos, sulmuesi nuk u bashkua me pjesën tjetër të skuadrës, por qëndroi pushim dhe iu nënshtrua trajtimit nga fizioterapistët. Nga Madridi bëhet e ditur se kjo është pjesë e një programi të personalizuar stërvitor, që synon të menaxhojë shqetësimet e vazhdueshme në gju. Megjithatë, mungesa në fushën e stërvitjes vetëm 48 orë përpara ndeshjes ka shkaktuar mjaft bujë në Francë, edhe për faktin se, me mungesat e Dembélésë dhe Marcus Thuram, alternativat e Zidane në repartin ofensiv janë reduktuar në minimum. Megjithatë, nëse nuk ka të papritura, Mbappé pritet ta nisë nga minuta e parë përballjen me Italinë, në rolin e sulmuesit të qendrës. Ai do të kërkojë të thyejë një tabu të vogël: në 67 golat e shënuar me fanellën e Francës, ende nuk ka arritur të gjejë rrugën e rrjetës kundër Italisë.

Formacioni

Mbappé, i cili mungoi në barazimin 1-1 të ndeshjes së parë, këtë herë do të jetë në fushë, në qendër të treshes sulmuese, me Olise në të djathtë dhe Désiré Doué në të majtë. Pas tyre pritet të rreshtohen Cherki, Da Cunha dhe futbollisti i Milanit, Rabiot. Në portë do të jetë një tjetër emër i njohur për tifozët në San Siro, Mike Maignan.Italia e Roberto Mancinit, e dyta në grup me 7 pikë, ka ende mundësinë t’u rrëmbejë francezëve vendin e parë. Për t’ia dalë mbanë, duke pasur parasysh cilësinë e skuadrës kundërshtare, axurrët do të duhet të shfrytëzojnë çdo mundësi, përfshirë edhe krizën që ka përfshirë Mbappén në marrëdhëniet me pjesën tjetër të ekipit.

Top Channel