Kryenegociatori rus, Vladimir Medinsky, ka deklaruar se delegacioni i Moskës nuk ka pasur asnjë komunikim me përfaqësuesit europianë gjatë bisedimeve për Ukrainën në Abu Dhabi, duke e cilësuar qëndrimin e Europës si të paqartë.

Në deklaratat e tij pas përfundimit të negociatave, Medinsky akuzoi Europën se është “bashkëpunëtore në një mashtrim kolektiv” ndaj popullit ukrainas. Sipas tij, vendet europiane mund të marrin pjesë në negociata vetëm kur të ndryshojnë qëndrimin e tyre dhe, siç u shpreh ai, “t’u zgjohet ndërgjegjja”.

“Për momentin, mendoj se do të ishte e dobishme për ta të mësonin nga të dërguarit amerikanë: sensin e përbashkët, realizmin dhe dëshirën për të arritur paqen”, deklaroi kryenegociatori rus.

Deklaratat e Medinskyt vijnë në përfundim të takimeve në Abu Dhabi, ku përfaqësuesit rusë dhe amerikanë kanë qenë të përfshirë në diskutimet për çështjen e Ukrainës. Qëndrimi i Moskës tregon se përfshirja e vendeve europiane në procesin negociator mbetet një pikë mosmarrëveshjeje.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb