Instituti i Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit do të marrë mbështetje për një projekt të ri në fushën e edukimit historik. Bëhet fjalë për hartimin e një enciklopedie tekstesh mbi konceptet historike të regjimit komunist, të cilat do të shërbejnë si bazë për përgatitjen e teksteve shkollore.

“Projekti tjetër ka të bëjë me një enciklopedi tekstesh për konceptet historike të regjimit komunist, që do të shërbejnë si bazë për hartimin e teksteve shkollore. Kërkojmë rreth 3 milionë e 500 mijë lekë për një projekt dyvjeçar.”, tha drejtuesi i ISKK-së, Çelo Hoxha.

Gjatë diskutimit për buxhetin e vitit 2027 në Komisionin për Kulturën, Hoxha ngriti edhe shqetësimin për statusin ligjor të institutit, duke argumentuar se trajtimi i tij buxhetor nuk përputhet me statusin e një institucioni të pavarur, të krijuar me ligj të veçantë.

“Çështja nuk është financiare, por ligjore. Çështja ligjore është detyrim normativ që buron nga respektimi i ligjit. Është çështje juridike që duhet zgjidhur. Instituti është institucion i pavarur, krijuar me ligj të veçantë dhe trajtohet si institucion qendror, përkufizimi i të cilit është në ligj për Këshillin e Ministrave. Ka mospërputhje, është shkelje ligjore, që duhet rregulluar.”, u shpreh Hoxha.

Për këtë çështje, deputetja e PD-së, Ina Zhupa, bëri me dije se ka propozuar një projektligj, duke theksuar se synimi nuk është përfitimi i fondeve shtesë, por garantimi i standardeve që zbatohen për institucionet e pavarura.

“Kam propozuar projektligjin në bazë të asaj që kemi diskutuar bashkë. Qeveria ka mbajtur një qëndrim që nuk ka sens logjik. Bëhet fjalë për momente që nuk lidhen për të marrë para ekstra nga buxheti i shtetit, por për të zbatuar standardin për gjithë institucionet e pavarura të republikës.”

Përfaqësuesja e Ministrisë së Financave bëri me dije se buxheti i institutit për vitin 2027 parashikohet në 65.7 milionë lekë, rreth 4 milionë lekë më shumë se një vit më parë.

Ndërkohë, çështja e godinës mbetet ende e pazgjidhur. Instituti do të vijojë të funksionojë në ambiente me qira, pa një godinë të përhershme ku të mund të ngrihet edhe një muze i krimeve të komunizmit. Diskutimet për buxhetin do të vijojnë në procesin e miratimit nen për nen, ndërsa Zhupa bëri me dije se për çështjen do t’i drejtohen edhe Komisionit të Ekonomisë.