Zhegrova me valixhe në duar, klubi i madh e do në Turqi
E ardhmja e Edon Zhegrovës te Juventusi duket gjithnjë e më e paqartë. Anësori i Kombëtares së Kosovës mund të ndryshojë ambient gjatë merkatos së janarit, ndërsa në garë për shërbimet e tij është rikthyer Besiktas.
Sipas mediumit turk Fotospor, klubi nga Stambolli po shqyrton sërish mundësinë e transferimit të futbollistit kosovar, i cili ishte një nga objektivat e tyre edhe gjatë merkatos së verës së vitit 2026.
Në atë periudhë, Zhegrova nuk ishte bindur nga oferta e Besiktasit dhe nuk dëshironte të transferohej në Turqi. Megjithatë, situata ka ndryshuar, pasi aventura e tij në Torino nuk ka shkuar sipas pritshmërive.
Sipas të njëjtit raportim, drejtuesit e Juventusit janë të gatshëm të shqyrtojnë oferta për largimin e tij, si në formë huazimi, ashtu edhe për një transferim të përhershëm.
Një tjetër faktor që mund ta lehtësojë këtë transferim është situata në repartin ofensiv të Besiktasit. Klubi turk nuk është plotësisht i kënaqur me minutat e Ernest Pokut, të marrë në huazim nga Bayer Leverkusen, ndërsa edhe e ardhmja e Vaclav Cernyt mund të jetë në pikëpyetje. Kjo mund t’i hapë rrugë rikthimit të Zhegrovës në planet e klubit turk.
Kujtojmë se Juventusi e transferoi Zhegrovën nga Lille në shtator të vitit 2025, duke investuar 14.3 milionë euro, plus bonuse të mundshme.




