28-vjeçari Erjon Vishkulli do të kryejë ditën e sotme një tjetër ndërhyrje kirurgjikale në Romë, e cila konsiderohet vendimtare për të ardhmen e shikimit të tij.
Pas operacionit të parë në klinikën “Gemelli”, ku ndërhyrja u mundësua edhe falë mbështetjes financiare prej 5 milionë lekësh të rinj nga qeveria, mjekët kanë vlerësuar se nevojitet një operacion i dytë për të rritur mundësitë e rikuperimit të shikimit.
Gjatë ndërhyrjes së parë, bluzat e bardha arritën të nxjerrin nga syri edhe trupin e huaj që kishte shkaktuar dëmtimin. Materiali i nxjerrë pritet të sekuestrohet dhe t’i nënshtrohet ekzaminimeve, siç ka bërë me dije më herët Prokuroria e Tiranës.
Dyshimet paraprake janë se bëhet fjalë për një plumb gome, që mund të jetë përdorur gjatë përplasjeve në javën e parë të protestës. Përgjigjja përfundimtare pritet të dalë pas ekspertizës.