Celibashi pret ambasadoren e BE-së, Moreira de Sousa: Reforma zgjedhore duhet të përshpejtohet, në fokus rekomandimet e ODIHR-it
Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, ka pritur në ambientet e KQZ-së ambasadoren e Bashkimit Evropian në Shqipëri, Sofia Moreira de Sousa. Në fokus të takimit kanë qenë proceset zgjedhore, reforma zgjedhore dhe rruga e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Gjatë takimit, ambasadorja e BE-së vlerësoi se Shqipëria po ecën në drejtimin e duhur drejt integrimit evropian, por theksoi se etapa e fundit është më e vështira dhe kërkon angazhim më të madh në një kohë të kufizuar.
Moreira de Sousa nënvizoi rëndësinë e zbatimit të rekomandimeve të ODIHR-it përmes një debati të mirëfilltë, duke kërkuar që reforma zgjedhore të përmbyllet sa më shpejt.
Ajo ripohoi gjithashtu gatishmërinë e Bashkimit Evropian për të vijuar mbështetjen ndaj KQZ-së, duke kërkuar identifikimin e fushave ku asistenca evropiane mund të sjellë rezultate konkrete në përmirësimin e punës së institucionit.
Nga ana e tij, Celibashi bëri të ditur se KQZ-ja ka zbatuar rekomandimet me karakter teknik, ndërsa ato që lidhen me vendimmarrjen politike kërkojnë angazhimin e qeverisë dhe Kuvendit.
Një tjetër çështje e diskutuar ishte nevoja që zgjedhjet e ardhshme të përmbushin standardet më të larta, veçanërisht në kushtet kur Shqipëria po i afrohet anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Sipas qëndrimit të paraqitur nga KQZ-ja, reforma zgjedhore duhet të adresojë keqpërdorimin e burimeve shtetërore, përfshirjen e administratës publike në fushatë, financimin e partive dhe fushatave zgjedhore, profesionalizimin e administratës zgjedhore, si dhe garantimin e së drejtës së votës për qytetarët që kanë vështirësi për të votuar.
Në përfundim, palët shprehën gatishmërinë për të vijuar bashkëpunimin me qëllim garantimin e proceseve zgjedhore të besueshme dhe gjithëpërfshirëse në Shqipëri.




