Si të largoni merimangat e pluhurit nga dysheku dhe shtrati gjatë dimrit
Merimangat e pluhurit janë organizma mikroskopikë që gjenden në dyshekë, jastëkë, çarçafë dhe mobilie të veshura me tekstil.
Edhe pse gjatë dimrit numri i tyre mund të zvogëlohet për shkak të ajrit më të thatë nga ngrohja, alergjenët që ato lënë pas vazhdojnë të qëndrojnë në ambientin ku flemë.
Këto organizma ushqehen me qelizat e vdekura të lëkurës dhe zhvillohen më lehtë në ambiente me lagështi të lartë.

Reaksionet alergjike nuk shkaktohen drejtpërdrejt nga merimangat, por nga jashtëqitjet dhe mbetjet e tyre.
Pse numri i tyre zvogëlohet gjatë dimrit?
Studimet e realizuara nga studiuesit e Universitetit Wright State në ShBA kanë treguar se merimangat janë më të shumta gjatë muajve të lagësht të verës, ndërsa numri i tyre bie në periudhën e thatë të sezonit të ngrohjes.
Megjithatë, ulja e numrit të tyre nuk do të thotë se zhduken edhe alergjenët.
Hulumtimet kanë treguar se këto mbetje mund të qëndrojnë në dyshekë, divane dhe sipërfaqe të tjera edhe pasi numri i merimangave të gjalla të jetë zvogëluar ndjeshëm.
Mbajeni lagështinë nën 50 për qind
Kontrollimi i lagështisë është një nga mënyrat më të rëndësishme për të kufizuar shumimin e tyre.
Akademia Amerikane e Alergjisë, Astmës dhe Imunologjisë rekomandon që lagështia në shtëpi të mbahet mes 35 dhe 50 për qind.
Për këtë mund të përdoret një matës i lagështisë, ndërsa në rastet kur ajo është e lartë, ndihmojnë pajisjet për largimin e lagështisë nga ajri.
Lajini rregullisht çarçafët dhe mbulesat
Shërbimi Shëndetësor Britanik (NHS) rekomandon ndërrimin e çarçafëve çdo javë dhe larjen e tyre në temperaturë 60 gradë Celsius.
Jastëkët, jorganët dhe batanijet këshillohet të lahen në të njëjtën temperaturë, të paktën çdo dy javë, nëse materiali e lejon një gjë të tillë.
Për tekstilet që nuk mund të lahen në temperatura të larta, mund të përdoret pastrimi kimik ose tharësja, me temperaturë mbi 54 gradë Celsius për të paktën 15 minuta, e më pas larja për të larguar alergjenët.
A ndihmon vendosja e jastëkëve në ngrirës?
Po, ngrirja mund të ndihmojë në eliminimin e merimangave.
Sipas klinikës Mayo, vendosja e tyre në ngrirës për 24 orë mund t'i vrasë këta organizma, por nuk i largon alergjenët që kanë mbetur në material.
Prandaj, pas ngrirjes, është e rëndësishme që produktet të pastrohen ose të lahen për të larguar mbetjet.
Përdorni mbrojtëse të posaçme për dyshekët
Një tjetër mënyrë për të kufizuar kontaktin me alergjenët është përdorimi i mbulesave mbrojtëse për dyshekë dhe jastëkë, të cilat pengojnë depërtimin e tyre.
Ekspertët theksojnë se kujdesi ndaj pastërtisë së shtratit nuk duhet të kufizohet vetëm në muajt e verës.
Larja e rregullt e tekstileve, kontrollimi i lagështisë dhe pastrimi i dyshekëve janë hapa të rëndësishëm për të mbajtur nën kontroll alergjenët gjatë gjithë vitit. /Telegrafi/





























