Gjykata Administrative e Shkallës së Parë në Lushnjë ka vendosur të lërë në fuqi pezullimin e punimeve për ndërtimin e muzeut hebraik në Vlorë.
Vendimi është marrë pas seancës së zhvilluar ditën e sotme, ku u shqyrtua në themel çështja e ngritur nga grupi iniciator kundër projektit.
Dhjetëra qytetarë nga Vlora dhe Lushnja kanë udhëtuar drejt Lushnjës për të ndjekur procesin gjyqësor dhe për të shprehur kundërshtimin e tyre ndaj ndërtimit të muzeut hebraik mbi godinën e muzeut “Labëria”.
Gjatë seancës, gjyqtari Embro Ahmetaj ka kërkuar që mediat të mos jenë të pranishme në sallën e gjyqit.
Pas dëgjimit të palëve, trupa gjykuese ka vendosur vijimin e pezullimit të punimeve, vendim që është pritur me entuziazëm nga qytetarët e pranishëm, të cilët e kanë konsideruar një fitore për kauzën e tyre.
Avokati Sazan Guri është shprehur se mbështetësit e kësaj nisme nuk do të tërhiqen deri në arritjen e asaj që e cilësojnë si mbrojtje të identitetit dhe historisë së Vlorës.
Në përfundim të seancës, pjesëmarrësit kanë kënduar këngë patriotike, duke shprehur vendosmërinë për të vijuar kundërshtimin ndaj projektit.














