Titulli i Mercedesit në Kampionatin e Konstruktorëve është fryt i një strategjie afatgjatë të Toto Volf, e ndërtuar mbi përgatitjen e hershme për ndryshimin e rregulloreve teknike. Dominimi në gjysmën e parë të sezonit rezultoi vendimtar. Në krahun tjetër, Çmimi i Madh i Brazilit i ka përkeqësuar edhe më shumë problemet e Ferrarit, mes tensioneve mes dy pilotëve dhe vështirësive të përsëritura në kushtet e shiut dhe temperaturave të ulëta. Ishte një triumf që dukej i parashkruar, por zyrtarizimi i tij mbetet gjithmonë momenti kulmor i një sezoni.

 

Mercedesi është shpallur kampion bote për konstruktorë, duke kompletuar një sezon të jashtëzakonshëm, pas suksesit të Kimi Antonelit në kampionatin e pilotëve. Një triumf i ndërtuar mbi dominimin e gjysmës së parë të sezonit, kur skuadra gjermane krijoi një avantazh të rëndësishëm që rezultoi vendimtar në garën për titullin. Edhe kur MekLareni dhe Red Bulli u rritën ndjeshëm, duke u shndërruar në rivalë të denjë për kryesimin, Mercedes nuk u shfaq asnjëherë i pafuqishëm, pavarësisht pistës apo kushteve të garës.

Ky sukses nuk është rastësi. Ai është rezultat i një strategjie afatgjatë, të nisur më shumë se dy vite më parë, me synimin për të përgatitur sa më mirë skuadrën për epokën e re teknike të Formula 1, e cila pritet të zgjasë të paktën deri në vitin 2030. Të gjitha skuadrat e kishin orientuar punën drejt ndryshimit të rregulloreve, por Mercedes arriti ta bëjë këtë më mirë se të tjerët, duke hedhur themelet e suksesit në kohën e duhur.

NJËSIA E FUQISË, THEMELI I SUKSESIT

Përtej peshës politike që Toto Volf ka fituar ndër vite në marrëdhëniet me Federatën Ndërkombëtare të Automobilizmit, Mercedesi kuptoi më herët se rivalët se faktori vendimtar në epokën e re nuk do të ishte vetëm aerodinamika aktive, por mbi të gjitha njësia e fuqisë, ku ndërthuren motori me djegie të brendshme dhe sistemi elektrik.

Skuadra britaniko-gjermane përfitoi ndjeshëm nga përvoja e gjatë dhe e suksesshme në Formula E, veçanërisht në menaxhimin dhe shfrytëzimin e energjisë elektrike. Një avantazh që rezultoi përcaktues edhe në raport me skuadrat kliente të Mercedesit. Asnjëra prej tyre nuk arriti gjatë këtij sezoni të shfrytëzonte potencialin elektrik të motorit me të njëjtin efikasitet si skuadra zyrtare. Por suksesi nuk lidhet vetëm me motorin. Mercedesi ndërtoi një makinë konkurruese edhe në aspektin mekanik dhe aerodinamik, me një aftësi të spikatur për t’u përshtatur me karakteristikat e pistave dhe kushtet e ndryshme të garave.

FAKTORI KIMI

Një tjetër element vendimtar në këtë triumf ishte Kimi Antoneli. Talenti i italianit krijoi kombinimin ideal mes potencialit të makinës dhe aftësive të pilotit. Është e vërtetë se “W17” rezultoi makina më e mirë përgjatë sezonit, por po aq e vërtetë është se një pilot me përvojën dhe cilësitë e Xhorxh Rasëllit shpesh pati vështirësi për ta interpretuar dhe shfrytëzuar plotësisht potencialin e saj. Edhe në procesin e zhvillimit, disa rivalë, veçanërisht Red Bulli, arritën të bëjnë hapa përpara mjaft domethënës. Antoneli, megjithatë, bëri diferencën.

Sidomos në gjysmën e parë të kampionatit, italiani la pas rivalët dhe, në jo pak raste, edhe shokun e tij të skuadrës. Në këtë mënyrë, u plotësua një projekt që Toto Volf e kishte ndërtuar prej kohësh: një makinë konkurruese, një pilot i ri me potencial të jashtëzakonshëm dhe një strukturë që tashmë po korr frytet e investimeve dhe planifikimit afatgjatë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb