Debate të ashpra mes deputetëve të opozitës dhe mazhorancës në mbledhjen e Konferencës së kryetarëve. Deputetët e Partisë Demokratike akuzuan Niko Peleshin dhe drejtuesit e mazhorancës se e kanë shndërruar Kuvendin në paradhomë të Partisë Socialiste duke refuzuar çdo nismë të opozitës. Në mbledhje debate pati edhe mbi progresraportin e BE që konstaton denoncimet e opozitës dhe nismat ligjore për shtypjen e protestave.
Syri tv
Debate mes mazhorancës dhe opozitës në Mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve të Kuvendit. përfaqësuesit e opozitës akuzuan mazhorancën socialiste dhe kryeparlamentarin Niko Peleshi se e ka shndërruar Kuvendin në paradhomë të Partisë Socialiste. Nënkryetari i Grupit Parlamentar te Partise Demokratike, Belind Këlliçi ka akuzuar ashper mazhorancen se po bllokojnë qëllimisht nismat ligjore të opozitës, duke i mbajtur ato në sirtar dhe pa u caktuar datë shqyrtimi. Këlliçi kërkoi përfshirjen në rendin e ditës dhe votimin e paketës me katër nisma për shfuqizimin e ligjit për Investimet Strategjike, ndryshimeve në ligjin për Zonat e Mbrojtura, ligjit për Paketën e Maleve dhe disa dispozitave të ligjit për Trashëgiminë Kulturore.
Këlliçi e lidhi bllokimin e nismave me problematikat e evidentuara në Raportin e Komisionit Evropian, duke akuzuar mazhorancën për dobësim të kontrollit parlamentar, cenim të të drejtave kushtetuese të opozitës dhe moszbatim të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. Ndërkaq, deputeti i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, kërkoi tërheqjen urgjente të akteve normative që, sipas tij, synojnë të ligjërojnë dhunën shtetërore ndaj studentëve protestues. Ai akuzoi mazhorancën se kërkon të qeverisë përmes dhunës, shkopinjve dhe plumbave të gomës, ndërsa paralajmëroi se Kuvendi nuk mund të kthehet në noter të vendimeve të qeverisë. Debati u ashpërsua edhe me Taulant Ballën, të cilin Blushi e akuzoi për mbrojtjen e interesave të klaneve kriminale, duke kërkuar njëkohësisht hapjen 100% të listave, qeveri teknike dhe zgjedhjen e Presidentit nga populli.
© SYRI.net