Bajrami: Për 960 ditë të qeverisjes së LVV-së, Kosova ishte nën masat ndëshkuese të BE-së

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka kritikuar Qeverinë e Kosovës gjatë debatit parlamentar për Raportin e Progresit të Komisionit Evropian, duke vënë në pikëpyetje pretendimet për përparim në rrugën drejt integrimit evropian.

Duke iu përgjigjur deklarimeve të deputetes së Lëvizjes Vetëvendosje, Liza Gashi, e cila foli për sukseset dhe përparimin e Kosovës, Bajrami tha se i është krijuar përshtypja se po jetojnë në botë paralele.

“Kur dëgjova fjalimin e Liza Gashit, me të vërtetë pata përshtypjen se po jetojmë në një botë paralele. Për 960 ditë të qeverisjes së Vetëvendosjes, Kosova ka qenë nën masat ndëshkuese të BE-së. A e dini sa është kostoja e këtyre masave dhe sot keni fytyrë të dilni në Kuvendin e Kosovës dhe të na flisni për progresin në integrimin evropian që Kosova ka bërë nën qeverisjen tuaj?”, deklaroi Bajrami.

Ajo iu referua një raporti të GAP-it, sipas të cilit kostoja financiare e masave të Bashkimit Evropian arrin në 613 milionë euro, duke thënë se pasojat e tyre janë ndier edhe në fusha të tjera.

Bajrami ka vlerësuar se Raporti i Progresit pasqyron gjendjen në vend dhe ka kundërshtuar pretendimet për përparim në fusha të ndryshme.

“Dhe sot keni fytyrë të na flisni për progres. Ky raport nuk shënon as edhe një progres në asnjë fushë të vetme”, ka thënë ajo, duke vënë në pikëpyetje edhe rezultatet e Kosovës në testin ndërkombëtar PISA.

Deputetja e LDK-së ka ngritur gjithashtu çështjen e luftimit të korrupsionit, duke përmendur 2 mijë e 913 kontrata njëburimore dhe rreth 1 mijë e 400 ankesa për kontratat, të cilat, sipas saj, dëshmojnë mungesë të rezultateve në këtë drejtim.

Ajo ka kritikuar edhe gjendjen në sistemin e drejtësisë, duke thënë se vendi ka qëndruar pesë vjet pa kryeprokuror. Sipas Bajramit, Qeveria ka vendosur persona të afërt me të në pozita institucionale për të penguar hetimet ndaj njerëzve të saj.

Në fjalën e saj, Bajrami ka përmendur edhe pagën minimale, duke thënë se rreth 40 mijë punëtorë në sektorin privat nuk përfitojnë nga ajo, bazuar në të dhënat e Administratës Tatimore të Kosovës.

Kritika ajo ka adresuar edhe për vonesat në përfundimin e projekteve infrastrukturore në Pejë, Gjilan, Podujevë dhe Gjakovë, të cilat, sipas saj, kanë mbetur të papërfunduara për vite me radhë.

Shija e redaktorit

Presidenti kroat pritet ta vizitojë Kosovën në fillim të dhjetorit

Presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviq, pritet ta vizitojë Kosovën në fillim të muajit dhjetor të këtij viti. Kështu ka mësuar Dukagjini nga burimet e veta...

Nufi: Shqipëria do ta mbrojë Kosovën, asnjë qeveri në Tiranë...

Ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Ermal Nufi, ka deklaruar se angazhimi i Shqipërisë për mbrojtjen e Kosovës është i pakushtëzuar, duke theksuar se asnjë...

Përkujtohet ditëlindja e heroit të Kosovës, Zahir Pajaziti

Sot shënohet 64-vjetori i lindjes së komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe heroit të Kosovës, Zahir Pajaziti. Ai u lind më 1 nëntor 1962...

Të fundit nga rubrika