Dosja “Metamorfoza”, Apeli i GJKKO-së jep vendimin 5 të pandehurit
Gjykata e Posaçme e Apelit ka shpallur vendimin për disa prej të pandehurve në dosjen e bujshme “Metamorfoza”, duke ndryshuar dënimin e ish-shefit të Operacionales, Oltion Bistri, ndërsa për Edmond Prekën, Astmer Bilalin dhe Behar Bajrin ka lënë në fuqi vendimet e dhëna nga Shkalla e Parë.
Sipas vendimit të Apelit, Oltion Bistri është dënuar përfundimisht me 11 vite burgim. Për shkak të aplikimit të gjykimit të shkurtuar, masa e dënimit reduktohet në 7 vite e 4 muaj heqje lirie.
Për tre të pandehurit e tjerë, gjykata ka vendosur të mos ndryshojë masat e dënimit të përcaktuara më herët nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë.
Ndërkohë, Xhevahir Lita është dënuar me 5 vite burgim, masë e cila pas përfitimit nga gjykimi i shkurtuar është reduktuar në 3 vite e 4 muaj. Ai është liruar, pasi e kishte shlyer dënimin gjatë periudhës së qëndrimit në paraburgim. I njëjti vendim për lirimin është zbatuar edhe për Oltion Bistrin, për shkak të kohës së kaluar në paraburgim.
Dënimet e lëna në fuqi për disa prej të pandehurve:
-
Edmond Preka: 10 vite burgim, të reduktuara në 7 vite pas gjykimit të shkurtuar. Dënimi do të vuhet në burg të sigurisë së lartë.
-
Behar Bajri (Brajovic): 13 vite burgim, të reduktuara në 8 vite e 8 muaj pas gjykimit të shkurtuar. Dënimi do të vuhet në burg të sigurisë së lartë.
-
Astmer Bilali: 8 vite e 6 muaj burgim, të reduktuara në 5 vite e 8 muaj pas gjykimit të shkurtuar. Dënimi do të vuhet në burg të sigurisë së lartë.
Vendimi i Apelit vjen në kuadër të shqyrtimit gjyqësor të dosjes “Metamorfoza”, një prej çështjeve të rëndësishme të hetuara nga drejtësia e posaçme, ku në qendër të procesit janë disa persona të akuzuar për përfshirje në veprimtari kriminale.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



