Artisti shqiptar Leander Veizi është ndarë nga jeta në moshën 37-vjeçare, duke lënë pas një karrierë të rëndësishme në botën e baletit dhe kërcimit bashkëkohor në disa skena evropiane. Ai ishte balerin, koreograf dhe drejtor artistik i kompanisë së kërcimit në Teatrin Shtetëror të Regensburgut në Gjermani. Për ndarjen e tij nga jeta ka reaguar edhe Ambasada e Shqipërisë në Gjermani, e cila ka shprehur hidhërimin për humbjen e artistit shqiptar duke vlerësuar kontributin e tij në artin dhe kulturën shqiptare.
”Me hidhërim të thellë Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Gjermani ndan lajmin për ndarjen e parakohshme nga jeta të artistit shqiptar Leander Veizi, balerin, koreograf dhe drejtues i trupës së vallëzimit në Teatrin Shtetëror të Regensburgut. Leander Veizi ishte një përfaqësues i talentuar i artit dhe kulturës shqiptare, i cili me përkushtimin, krijimtarinë dhe profesionalizmin e tij ndërtoi një karrierë të spikatur në skenat artistike evropiane. Kontributi i tij artistik dhe gjurmët që la në botën e vallëzimit do të mbeten pjesë e trashëgimisë së tij krijuese. Ndarja e tij e parakohshme është një humbje e dhimbshme jo vetëm për familjarët, miqtë dhe kolegët, por edhe për komunitetin artistik shqiptar dhe atë ndërkombëtar. Në emër të Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Gjermani, shprehim ngushëllimet tona më të sinqerta për familjen e Leander Veizit, të dashurit e tij dhe kolegët në Teatrin Shtetëror të Regensburgut. U prehtë shpirti i tij në paqe”,-shkruan në reagim Ambasada.
I lindur në vitin 1989, Veizi përfundoi studimet për balet në Tiranë dhe më pas u formua në Scuola del Balletto di Toscana në Itali. Në vitin 2011, ai iu bashkua kompanisë Gauthier Dance në Theaterhaus Stuttgart. Më vonë, ishte pjesë e ansambleve të Ballett Vorpommern dhe Tanz Theater Münster. Veizi ishte gjithashtu aktiv si koreograf, me vepra të prezantuara në skena të njohura, si Teatri Gallus në Frankfurt, Theater Vorpommern dhe Theater Münster. Që prej sezonit 2022/2023, ai ishte anëtar i Teatrit Shtetëror të Regensburgut, ndërsa prej marsit të këtij viti mbante detyrën e drejtorit artistik të kompanisë së kërcimit të këtij institucioni.
